Treg

Çmimet u rritën në shtator, ushqimet patën efektin më të madh

Niveli i përgjithshëm i çmimeve të konsumit ka shfaqur një rritje të lehtë të ndikuar nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe pijeve jo alkhoolike.

INSTAT ka raportuar sot, të enjten se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin shtator 2020 është 1,5 %, që do të thotë është larg objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3%. Që sipas vetë bankës pritet të arrihet brenda vitit 2022

Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,3 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin shtator 2020, krahasuar me gusht 2020, është 0,4 %.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se rritja vjetore e çmimeve në muajin shtator është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,39 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,31 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,08 pikë përqindje, etj.

Ndikim negativ në inflacion ka patur  “Transporti” me -0,29 pikë përqindje, “Veshje dhe këpucë” me -0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar me -0,01 pikë përqindje secili.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë