Futboll

Duka: Qeveria të gjejë kohë për ta kthyer futbollin në fushë, Fidel Ylli një anonim në sport

Bojkoti vijon të jetë një temë e hapur në një kohë kur palët, Liga e Profesionistëve, FSHF dhe Qeveria Shqiptare i qëndrojnë strikt qëndrimit të tyre. Në një intervistë dhënë për televizionin “News 24”, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u shpreh se të gjithë duhet të kontribuojnë maksimalisht për të ndihmuar zhvillimin e futbollit dhe për të mbështetur kërkesat e klubeve.

Gjithashtu, Presidenti Duka foli për letrën e FIFA dhe UEFA, të cilat i kërkuan qeverisë të gjejë zgjidhje për kërkesat e klubeve si edhe për ndeshjet e radhës së ekipit Kombëtar në Nations League ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë. Mes të tjerash Presidenti i FSHF-së theksoi edhe objektivin për të ndërtuar një skuadër që të synojë kualifikimin në Euro 2024.

FIFA DHE UEFA –  FIFA dhe UEFA duke qenë institucionet botërore dhe europiane të drejtimit të futbollit pa dyshim që do ta mbështesin zhvillimin e tij, pa dyshim që do mbështesin aktorët e futbollit. Do të inkurajojnë në rastin konkret qeverinë shqiptare që të krijojë bazë ligjore apo kushte optimale për zhvillimin e lojës.

Nuk besoj se do të ketë një përfaqësues nga FIFA dhe UEFA. Unë vazhdoj të besoj te qeveria që do të gjejë kohën, mundësinë për ta mbështetur futbollin, për ta rikthyer në fushë dhe për ta zhvilluar atë. Duhet të përfitojmë nga kjo kohë e ekipeve kombëtare, për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe për t’u ulur në tavolinë.

DISKUTIMET ME QEVERINË –  I deleguari i partisë për këtë çështje mund të jetë anonim në lidhje me sportin, sepse realisht unë dhe i gjithë komuniteti sportiv e ka mbështetur 8 vite më parë Fidelin për të qenë pjesë e politikës me të gjithë premtimet dhe trumpetimet e tij se do të bënte shumë për sportin në Shqipëri. Por u fsheh për 7 vite dhe u rishfaq sot mbase për të marrë ndonjë benefit politik përsëri nëpërmjet sportit. E mira është që ta ndihmojmë sportin dhe jo të kërkojmë benefite politike siç kërkon të bëjë Fideli sot, i cili ka zhvilluar dy takime me ne dhe vazhdon të marrë kohën e vet dhe uron zotin që konflikti të zgjasë sa më shumë.

Institucionalisht ne e kemi pritur këtë personin që ju thatë në fillim, si i ngarkuari i qeverisë, i kemi thënë kërkesat tona, i ka mbështetur ato dhe akoma nuk kemi asnjë përgjigje. Vazhdon të marrë kohën e vet për të na dhënë një përgjigje, qoftë edhe negative.

LIGA E PROFESIONISTËVE – E kam dëgjuar Safetin, jo vetëm publikisht, e kam dëgjuar edhe në mbledhje, e kam takuar edhe personalisht. Është në të njëjtën mendje me të gjithë presidentët e tjerë të Ligës që këto kërkesa janë të drejta. Pastaj, mënyra e zgjidhjes, është për një mënyrë tjetër, që të ndërpresim bojkotin. Por nuk heq dorë në asnjë çast nga kërkesat dhe nga mendimi që këto kërkesa janë të drejta dhe të domosdoshme për zhvillimin e sportit në Shqipëri. Pavarësisht kësaj, edhe Kukësi i është nënshtruar vendimit të shumicës, e ka mbështetur bojkotin, por presidenti i nderit i saj është për një zgjidhje ndryshe.

Ne kemi marrë përsipër të financojmë bashkë me qeverinë shqiptare me kërkesë të qeverisë shqiptare 50% të stadiumit. E kemi bërë këtë, kemi financuar më shumë sesa 50% të tij, presim që qeveria të kalojë pjesën e vet dhe ne të vazhdojmë të mbështesim me 50%. Nëse qeveria nuk do të mbështesë sipas premtimit dhe marrëveshjes 50% të saj, atëherë dhe ne do të rrimë në të njëjtat nivele me qeverinë.

KOMBËTARJA – Objektivat tona janë që ndeshjet e Nations Leagues t’i fitojmë dhe të marrim pikët maksimale. Teorikisht, nëse do bëjmë një lloj vlerësimi të skuadrave në përbërjen e tyre, në nivelin e futbollistëve etj, ne mund të konsiderohemi favoritë në të gjitha ndeshjet. Por për ta arritur atë, duhet të bësh maksimalen në fushë, pasi kemi një eksperiencë negative në Tiranë kundër Lituanisë, që menduam se ishim më të mirë, por faktikisht nuk ndodhi ashtu dhe e humbëm atë ndeshje. Nëse ky ekip, me të rinjtë dhe me ata me më shumë eksperiencë, do të arrijnë të gjejnë balancat dhe motivimin e duhur dhe vlerësimin maksimal, besoj se do të arrijmë t’i fitojmë ndeshjet.

Mundësitë reale për të luftuar më shumë janë vërtetë për EURO 2024. Botërori është i vështirë, por kjo nuk do të thotë që ne po përgatisim ekipin dhe nuk do të luajmë në botëror. Po këta futbollistë do të marrin eksperiencën maksimale gjatë botërorit, mund të arrijnë edhe rezultate të papritura. Por, ajo çka është objektiv më i realizueshëm është EURO 2024 dhe pikërisht për këtë ne kemi ndërtuar një lloj strategjie që të kemi një ekip shumë kompetitiv për 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë