Futboll

Duka thumbon Hysajn: Te Napoli ka shkëlqyer, te Shqipëria jo

Disfata me Lituaninë duket se ka tronditur ambientin kuqezi dhe kjo dallohet nga fjalët e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili gjatë një intervistë për Radio KissKiss, ka kritikuar kapitenin e kuqezinjve, Elseid Hysajn, i cili u ndëshkua me karton të kuq ndaj Lituanisë, duke lënë ekipin me 10 lojtarë në moment vështirësie. “Hysaj? Ai ka luajtur shumë mirë në dy ndeshjet e para me Napolin, më vjen keq që nuk ka bërë të njëjtën gjë me ne në kombëtare. Ne presim shumë prej tij”, tha Duka.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është pyetur gjithashtu në lidhje me ngjarjen më të bujshme e fundjavës që kaloi, ndeshja që nuk u luajt mes Juventusit dhe Napolit. “Juve-Napoli? Nëse një ekip ka në dispozicion të paktën 13 futbollistë të shëndetshëm, atëherë ndeshja mund të luhet. Nëse skuadra ka më pak se 13 lojtarë në dispozicion, ndeshja zhvillohet në një datë tjetër. Dhe nëse nuk luan dot as herën e dytë, atëherë UEFA merr vendim.

“Kur ke 2-3 raste pozitive me COVID-19, ndeshja duhet të zhvillohet. Napoli duhej të udhëtonte drejt Torinos, pavarësisht refuzimit të presidentit Aurelio De Laurentis. Napoli është përgjegjës që e humbi takimin 3-0 në tavolinë. Duhej të luanin kundër Juventusit. Për këtë situatë vendos Komiteti Disiplinor. Napoli, nëse do të ketë 2 lojtarë pozitivë gjatë Ligës së Europës, duhet të niset për në Spanjë për të luajtur me Real Sociedad, pavarësisht mendimit të autoriteteve shëndetësore. Për të mirën e futbollit, ndeshjet duhen luajtur, përndryshe humbet 3-0 në tavolinë”, tha Duka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë