Igli Tare, kapiteni më i famshëm i kombëtares shqiptare dhe një nga shqiptarët më të suksesshëm në skenën europiane të futbollit, ka folur për përforcimet e ekipit lacial, pas mbylljes së merkatos. Ai në një intervistë për DAZN është shprehur lidhur me situatën në ambientin e klubit të kryeqytetit italian, duke thënë se kjo periudhë e kombëtareve do t’i ndihmojë shumë për t’u konsoliduar.

“Në këto momente mund të na ndihmojnë shumë rezultatet, përmes tyre vjen edhe vetëdija te forcat e skuadrës”, është shprehur drejtuesi shqiptar, i cili në këtë seksion jo të zakontë të merkatos ka qenë si gjithmonë aktiv dhe ka ndihmuar skuadrën të përforcohet duke afruar, Reina (nga Milan), Muriqi (nga Fenerbahce), Fares (nga SPAL) dhe Pereira (nga Manchester United).
“Duam të bëjmë më mirë se vitin e kaluar, – ka përfunduar drejtuesi. – Ndalesa për kombëtaret do të jetë e dobishme për të përfshirë në projekt lojtarët e rinj që janë afruar me vonesë në këtë seksion të merkatos”.

Para disa ditësh Tare, u nderua në Itali me çmimin prestigjioz “Luani i Artë”. Motivacioni i këtij vlerësimi të lartë për Taren, është për merita profesionale në fushën e sportit si drejtuesi më i suksesshëm. Me një buxhet të limituar, Tare ka ditur të ndërtoj një ekip konkurrues duke e rikthyer Lazion pas një kohë të gjatë në Champions League. Një vit më parë, Tare ishte mes personave të nominuar për çmimin e drejtorit sportiv më të mirë në botë, ndërsa këtë vit ka rrëmbyer një çmim shumë prestigjioz, “Luani i Artë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




