Treg

Covid-19 dëmtoi tregun, por shqiptarët po sigurojnë më shumë shtëpitë

Kriza e shkaktuar nga COVID-19 ka goditur edhe tregun e sigurimeve në Shqipëri.

Të dhënat e raportuara nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare për periudhën janar-gusht 2020 tregojnë se të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit kapën vlerën mbi 10,625 milionë lekë, ose 6.48% më pak se në periudhën janar-gusht 2019. Gjatë periudhës janar-gusht 2020, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 609,601 me një ulje prej 30.58% krahasuar me periudhën janar-gusht 2019.

Sipas AMF-së, tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93.43% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.56%.

Por ajo që vihet re, pavarësisht krizës së shkaktuar nga COVID-19, shqiptarët duket se nuk e kanë harruar tronditjen e tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe vijojnë ndërgjegjësimin për sigurimin e banesave.

Të dhënat e AMF-së tregojnë se në portofolët e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-gusht 2020 siguruan mbi 1,932 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 61.87%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 29.59% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar-gusht 2020, vihet re një rritje prej 11.66% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 1.42% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-gusht 2019.

Ky është i vetmi zë në portofolin e sigurimeve që ka qenë me rritje.

Në të njëjtën kohë, gjatë periudhës janar-gusht 2020, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4,981 milionë lekë, ose 31.03% më shumë se në periudhën janar-gusht 2019.

Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës me rreth 2,315 milionë lekë, apo 46.48% të totalit të dëmeve të paguara bruto.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë