Nga Fatjon Rupi – Nisi keq dhe vazhdoi shumë keq aventura gjeorgjiane e Kukësit, që pas problematikës së vizave me disa lojtarë të tij, u mund 5-2 në fushën e Torpedo Kutaisi, duke e bërë shumë të vështirë kualifikimin. Dy golat e shënuar në Gjeorgji thjesht i japin një fije shprese skuadrës së trajnerit Armando Cungu. Ajo që bën përshtypje ka të bëjë me faktin se për për 31 minuta Kukësi pësoi 4 gola, 3 nga të cilët ishin identikë për nga mënyra si u shënuan nga kundërshtari, me aksione nga krahu i djathtë. Harba në pjesën e parë dhe Plaku me 11-metërsh në fundin e ndeshjes shënuan dy golat e skuadrës veriore, që ka zhvilluar një ndeshje mjaft të dobët në mbrojtje dhe është thuajse e eliminuar nga Europa League.
Kukësi nuk kishte të gatshëm në këtë ndeshje Maliqin dhe Et’hemin, të cilët nuk udhëtuan për në Gjeorgji. Një problem më vete ky, pasi drejtuesit e Kukësit pretendojnë se atyre nuk u është dhënë viza, ndërsa pala gjeorgjiane ka reaguar zyrtarisht duke thënë se të dy lojtarët nuk ishin në listen e Kukësit. Portieri kosovar Maloku dhe sulmuesi nga Mozambiku, Rexhinaldo, patën problem me vizat, por pas ndërhyrjes së klubit të Torpedos u bë e mundur që ata të bashkoheshin me ekipin. Rexhinaldo madje luajti titullar, në vend të Plakut, kurse vendin e Maliqit në mbrojtje e mori Hoxha.
Kukësi pësoi gol që në minutën e 2-të dhe në të 15-të Torpedo Kutaisi dyfishoi, por sulmuesi boshnjak, Haris Harba, futi Kukësin në lojë në minutën e 22-të. Ishte vetëm një shkëndijë, sepse më pas erdhën dy gola të tjerë të gjeorgjianëve dhe rezultati shkoi 4-1, duke bërë që Kukësi të kapitullojë. Në pjesën e dytë, trajneri Cungu hodhi në fushë edhe Plakun, Shkodrën e në fund Zguron, duke shtuar forcat sulmuese. Plaku gjetin golin në fund nga pika e bardhë, por dy minuta më parë Torpedo kishte shënuar edhe golin e 5-të. Një humbje e thellë, që me siguri do të ketë pasoja, ndërsa për mrekullinë e kualifikimit kuksianëve u duhen 3 gola, pa pësuar asnjë. Ndeshja me gjeorgjiënët do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”.
Trajneri Armando Cungu, jashtëzakonisht i zhgënjyer nga loja dhe rezultati, ka theksuar pas ndeshjes se gjendja është alarmante dhe se duhet ndërhyrje urgjente në grupin e lojtarëve. Një akuzë indirekt për ata që kanë bërë merkaton e skuadrës kuksiane dhe shigjetat drejtohen te drejtori sportiv, Nderim Nexhipi. “Kukësi është një ekip me probleme momentalisht. Ne ia dhuruam vetë golat kundërshtarit dhe me këtë rezultatet mundësitë e kualifikimit janë shumë të vogla. Nuk më intereson Europa, por kampionati. Erdha te Kukësi pas ftesës së presidentit. Erdha me dëshirë të madhe, sepse e kam drejtuar më parë Kukësin, që i ka dhënë tonin kampionatit vitet e fundit. Mendova se do të ishte ekip i tillë prapë dhe ndoshta nuk do ta kisha marrë drejtimin e tij, po ta dija këtë gjendje. Pres të vijnë lojtarë cilësorë, që bëjnë diferencën, në të kundërt do të shoh pozicionin tim. Edhe mund të largohem. Ky grup nuk të jep shpresë për të dalë kampion. Kukësi ka nevojë për lojtarë me kualitet”, – ka thënë pas ndeshjes në Gjeorgji trajneri Cungu.
Pritet që kjo humbje e thellë e Kukësit të ketë pasoja. Presidenti Safet Gjici, i cili para ndeshjes akuzoi palën gjeorgjiane për pritje armiqësore dhe aspak të denjë për një ndeshje europiane, tani do të shfryjë edhe ndaj të tijve për ata 5 gola të pësuar. Nuk përjashtohet mundësia për masat të forta ndëshkuese nga presidenti i Kukësit, madje edhe para ndeshjes së kthimit. Kukësi u ndesh me problemin e vizave para ndeshjes në Gjeorgji, ku fillimisht ishin 4 lojtarët që nuk u lejuan të shkonin me grupin, por mbetën 2 në fund, Athemi dhe Maliqi. Gjithsesi, ky nuk është justifikim për humbjen e thellë.
Nga futbollistët shqiptarë që luajnë në Europa League me skuadrat e tyre, duhet thënë se Etrit Berisha ishte spektator në fitoren e thellë, 1-4, të Atalantës në fushën e Hapoel Haifas. Berisha qëndroi në stol, ndryshe nga ndeshjet e fundit, duke ia lënë vendin Golinit. Kurse Kamer Qaka i Steauas së Bukureshtit nuk ishte i grumbulluar fare për ndeshjen me Hajdukun e Splitit.
Për t’u veçuar në ndeshjet e para të këtij turi të Europa League janë humbjet e thella të Zenitit të Shën Peterburgut dhe Fejnordit, që u mundën me rezultatin e njëjtë, 4-0, përkatësisht nga bjellorusët e Dinamo Minsk dhe sllovakët e Trencin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.