Bllokimi i aktiviteteve ekonomike në mbarë botës si përgjigje ndaj krizës shëndetësore për të bllokuar përhapjen e koronavirusit shkatërroi tregjet ekonomike në tërësi e në veçanti atë të punës që pason me një zinxhir pasojash negative në shoqëri dhe ekonomi.
Në Shqipëri tregjet e punës që u goditën më shumë qenë industria dhe bujqësia.
Të dhënat e INSTAT për tremujorin e dytë të 2020-ës, tregojnë se si bujqësia, ashtu edhe industria në terma vjetorë kanë pësuar rënie të ritmit të punësimit me 3,7 %.

Në terma mujorë, pra krahasimisht me tremujorin parardhës, industria e ka ulur ritmin e punësimit me 6,2 %, shërbimet 2,3 dhe bujqësia 1,1 %.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se për gratë dhe burrat e moshës 15-64 vjeç mbizotëron punësimi në sektorin e bujqësisë. Por në të njëjtën kohë, bujqësia është sektori më i keqpaguar në Shqipëri, pra paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në këtë sektor është 37,5 % më e ulët sesa mesatarja në nivel kombëtar. Po ashtu, bujqësia mbetet si një nga sektorët me informalitetin më të lartë dhe me më pak vëmendje nga shteti.
Sektori i dytë që zë peshën më të madhe në punësimin e grave pas sektorit të bujqësisë është ai i administrimit publik, shërbimeve sociale, dhe aktiviteteve dhe shërbimeve të tjera, me 21,4 %. Për burrat, sektori i dytë që zë peshën më të madhe në punësimin e tyre është sektori i tregtisë, transportit, hotelerisë, shërbimeve të biznesit dhe administrative, me 29,6%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




