Përplasja midis Greqisë dhe Turqisë në Mesdhe duket se shndërrohet në një përplasje gjeopolitike, pasi si Turqia, ashtu edhe Rusia kanë dërguar anije ushtarake ne rajon. Në këtë zonë, aktualisht ndodhen flotat e një numri të madh shtetesh, përfshirë NATO-n.
Ndërkohë që aeroplanmbajtësja franceze “Charles de Gaulle” ndodhet në Egjeun Lindor, si një përgjigje ndaj kërcënimeve të Turqisë ndaj Greqisë, një tjetër shtet i fuqishëm duket se është futur në lojë
Siç raporton “Protothema”, bëhet fjalë për Rusinë, flota e të cilës i është bashkuar asaj turke duke njoftuar kryerjen e një stërvitjeje të përbashkët, me topa të vërtetë në dy zona të rëndësishme të Egjeut Lindor.
Flota e Moskës do të angazhohet në një seri stërvitjesh ushtarake në zonën lindore të Mesdheut, ku ndodhen aktualisht anijet e Ankarasë. Në ishujt aty pranë, tashmë grekë, qipriotë, francezë, italianë dhe amerikanë.

‘Rusët po vijnë’, thonë turqit, që me fjalë të tjera do të thotë ‘po vijnë tanët’, duke pasur parasysh lidhjet strategjike që bashkojnë Ankaranë me Moskën.
Zyrtarisht ardhja e rusëve për stërvitje ushtarake detare, vjen teksa deri para pak ditësh Greqia kreu manovra me francezët, italianët, amerikanët. Skenari, në situatën aktuale i fryn edhe më shumë zjarrit të konflikteve të nxehta në Mesdhe, për të mos thënë edhe luftës. Sipas Ankarasë zyrtare, stërvitjet ushtarake do të zhvillohen duke filluar nga data 8 shtator.
NATO ndërkohë duket se ka dështuar të ulë në një tavolinë Greqinë dhe Turqinë, për të zbutur tensionet. Jens Stoltenberg u detyrua të reagonte pasi Athina mohoi njoftimin e NATO-s të bërë të enjten mbrëma se Greqia dhe Turqia kishin rënë dakord për bisedime teknike për të shmangur incidentet ushtarake në Mesdheun Lindor.
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias mohoi se do të kishte rënë dakord të mbante bisedime të ndërmjetësuara nga NATO me Turqinë për të de-përshkallëzuar tensionet mbi kufijtë detarë dhe të drejtat e kërkimit të gazit. Stoltenberg tha më parë të dy aleatët e NATO-s kishin “rënë dakord të hynin në bisedime për të zvogëluar rrezikun e incidenteve dhe aksidenteve”.
Por burimet diplomatike greke u përgjigjën se njoftimi “nuk korrespondon me realitetin”. Duke folur para gazetarëve të premten, Stoltenberg sqaroi se ai kishte folur më parë për “bisedime teknike” që synonin de-përshkallëzim në nivelin ushtarak, por jo për negociatat për të zgjidhur politikisht konfliktin.

“Asnjë marrëveshje mbi bisedimet”, tha Stoltenberg, duke shtuar se “bisedimet teknike kanë për qëllim të plotësojnë, jo të zëvendësojnë, përpjekjet gjermane për ndërmjetësimin politik”. “Të dy aleatët janë takuar tashmë për bisedime teknike këtu në NATO,” shtoi Stoltenberg.
Franca, ndër të tjera, kohët e fundit rriti praninë e saj ushtarake në rajon si një shenjë solidariteti me Greqinë dhe Qipron. I pyetur nëse bisedimet teknike do të vazhdonin pavarësisht se asnjë nga dy palët nuk kishte pranuar të tërheqite anijet ushtarake. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i tha Turqisë të shtunën të ndalojë kërcënimet ndaj vendit të tij nëse do të fillojnë bisedimet për uljen e tensionit.
“Ka gjashtë fjalë: ndaloni provokimet, filloni bisedimet,” tha Mitsotakis.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka sulmuar vazhdimisht Greqinë, por edhe Francën, duke i quajtur kohët e fundit udhëheqësit e tyre “lakmitarë dhe të paaftë”.
“Greqia tregoi edhe një herë se nuk është në favor të dialogut,” tha ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu.

Deklarata vjen pasi Shtetet e Bashkuara thanë se po hiqnin pjesërisht një embargo armësh ndaj Qipros, e cila ka zgjatur 33 vjet. Turqia dhe Rusia kanë disa vite që kanë forcuar lidhjet e tyre politike, ekonomike dhe madje edhe ushtarake.
Në Siri ata po koordinojnë ngushtë praninë e tyre ushtarake në brezin verior të populluar nga kurdët, megjithëse me pikëpamje të ndryshme mbi pushtetin e ePresidentit Bashar el Assad. Kohët e fundit, pavarësisht kundërshtimeve të SHBA-së, Ankaraja bleu nga Moska raketat S-400 dhe u ka dhënë dritën jeshile inxhinierëve rusë për të ndërtuar një termocentral në brigjet e saj jugore.
Njoftimi gjithashtu vjen në një kohë fërkimesh të mëdha midis Turqisë dhe Greqisë. E para mbështetet nga rusët, ndërsa e dyta mbështetet ushtarakisht nga francezët. Ditët e fundit, Italia ka kryer stërvitje detare si në frontin grek, ashtu edhe në atë turk, me anije të ndryshme. Gjermania me diplomacinë e saj duket se më shumë mbështet Ankaranë, megjithëse edhe ‘duke i tërhequr veshin’.
Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar, paralajmëroi Greqinë se nëse hiqni embargon dhe përpiqeni të prishni ekuilibrin, kjo do të çojë në luftë, jo në paqe”.
Ambasadorja e SHBA-së në Qipro, Judith Garber, iu përgjigj kritikave turke duke deklaruar se heqja e embargos nuk ka asnjë lidhje me Turqinë, të cilën e përcaktoi si “një partner dhe aleat të vlefshëm”.
Vendimi i Rusisë për të filluar dy stërvitje të gjata ushtarake ka synime të qarta, të konsolidojë praninë e saj të konsiderueshme në Mesdheun Lindor, duke kryer rregullisht manovra detare. Por njoftimi i bërë nga Turqia tingëllon si një mesazh i aleancës mes dy vendeve, me synimin për të mbetur një lojtar i rëndësishëm rajonal në një tabelë vendore shahu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



