Kombëtarja kuqezi është grumbulluar ditën e sotme në Durrës, aty ku do të përgatitet për dy ndeshjet e Liges së Kombeve, ndaj Bjellorusisë më 4 shtator dhe ndaj Lituanisë më 7 shtator. Në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjeve kanë dalë dy futbollistë: Armando Sadiku, i rikthyer në përfaqësuese, dhe Qazim Laçi, i grumbulluar për herë të parë me kombëtaren.

Sadiku ka folur për sfidat e radhës dhe të ardhmen e tij, pas ndërprerjes së kontratës me Levanten. “Ndihem shumë mirë, kënaqësi të vesh fanellën e kombëtares. Shpresoj ta ndihmoj. Ambienti është i njëjtë, janë disa lojtarë të rinj që nuk i kisha takuar. Kemi një grup të mirë lojtarësh. Jam i bindur që do të marrim maksimumin në këto ndeshje, që me Bjellorusinë. I kemi kualitetet”.
Mungesa e golit me kombëtaren- Goli është si ushqimi për mua. Kur shënoj e kam kryer detyrën. Me kombëtaren do ta provojë këtë ndjenjë çdo futbollist. Do mundohem të shënoj në këto dy ndeshje dhe të ndihmoj ekipin të marr rezultate pozitive.
Bjellorusia dhe Lituania- Duhet ta marrim seriozisht, që nga fillimi. Sot nuk ka skuadra të lehta. Duhet të luajmë fort dhe të marrim tre pikët. Në letër jemi favoritë, por duhet t’i marrim ndeshjet seriozisht nga fillimi. I kemi kualitetet për të zënë vendin e parë.
Konkurrenca- Unë do të jap më të mirën. Kam luajtur 36 ndeshje me Malaga, si asnjëherë tjetër në karrierë. Jam i lumtur që u ktheva në kombëtare, pastaj për formacionin vendos trajneri. Edhe herët e tjera jam thirrur nga Edy Reja, por për arsye familjare dhe dëmitimi nuk erdha dot. Do të jap më të mirën time, pastaj vendos trajneri.
E ardhmja- Po i shqyrtoj ofertat. Menaxheri po merret me ofertat. Jam i përqendruar te kombëtarja dhe pas ndeshjeve do të shoh se ku do ta vijoj karrierën në nivel klubesh.

Laçi, mesfushori që luan në Francë me Ajaccio, me emocionet e debutuesit e pranon se konkurrenca është e madhe, ndërkohë që thekson se është krenari e madhe për të që të veshë fanellën kuqezi.
Konkurrenca- Shumë konkurrencë për të ardhur në kombëtare. Niveli është rritur, pasi ka shumë lojtarë që luajnë në Europë. Luftohet për një vend. E njoh ekipin, e kam parë këto kohë. Me disa kam luajtur me Shqipërinë U21 dhe e di si është konkurrenca.
Debutimi- Do ishte krenari të luaj me Shqipërinë. Ka vite që e pres. Do ishte ndjenjë e mirë për mua. Kam luajtur me moshat dhe do ishte akoma më mirë të luaja me ekipin A. Kombëtarja të ndihmon shumë. E thashë që do të jetë krenari që të jem pjesë e këtij ekipi edhe në vijim. Me rëndësi është të marrim rezultate pozitive në vazhdim.
Ajaccio- Kishim shumë shanse për t’u futur në kategorinë e parë. Federata Franceze e anuloi kampionatin dhe nuk u ngjitëm në fund. Sigurisht do doja të luaja në kategorinë e parë. Çdo lojtar punon që të arrijë sa më lart. Edhe unë këtë objektiv kam. Nuk shikoj ekipin, por dua të arrij sa më lart.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




