Leo Messi është gati t’i thotë lamtumirë Barcelonës. Futbollisti më i rëndësishëm i brezit të tij, për shumë më i miri në histori, mund të jetë në ditët e fundit si lojtar i Barçës. Edhe pse largimi i argjentinasit do të ishte një goditje epike, e një niveli tjetër, tifozët katalanas tashmë kanë parë lamtumirën e legjendave të shumta të klubit, që kanë ikur përmes derës së pasme.
Maradona

Argjentinasi, si bashkatdhetari i tij, shënoi një epokë te Barcelona. Megjithëse qëndrimi i tij në “Camp Nou” ishte shumë më i shkurtër, largimi u shënjua nga përplasjet me bordin katalanas. Maradona arriti në klub në qershor 1982 dhe u largua më 1984. Tensionet me trajnerin Menotti dhe menaxherët bënë që ylli botëror të paketonte bagazhet për te Napoli, ku mbetet ende një idhull.
Bernd Schuster

Mesfushori gjerman i tërhoqi tifozët e Barcelonës me performancën në fushë, por krijoi pakënaqësi me sjelljen e tij. Episodi më i famshëm, dhe përfundimtar për karrierën e tij si lojtar i Barçës, ndodhi në finalen e Kupës Europiane 1986, në “Sánchez Pizjuán”, kundër Steaua Bucuresti. Ai u largua nga fusha, kur u zëvendësua në minutën e 85-të, dhe shkoi direct në hotel, prej nga i pa penalltitë. Gjermani duhet të godiste i pari ose i fundit në serinë e 11-metërshave. Ky moment shënoi fundin e tij te Barcelona.
Michael Laudrup

Marrëdhënia e danezit me trajnerin Johan Cruyff nuk ishte më e mira dhe futbollisti u largua nga Barcelona. Bordi drejtues zbuloi se Laudrup kishte nënshkruar një parakontratë me Real Madridin dhe fama e tij si një lojtar i Barçës ra shumë. Lojtari e mbylli aventurën në “Camp Nou” dhe më pas veshi fanellën e rivalit të përjetshëm. Ai luajti për dy sezone në “Santiago Bernabéu”, ku fitoi titullin më 1995.
Romário da Souza

Një futbollist fantazist. “Grabitqari” më i madh që Barcelona ka pasur në historinë e saj. Por, si shumë figura në këtë klub, edhe ai përfundoi keq. Në vitin e tij të parë, braziliani mahniti me 32 gola në 47 ndeshje. Sidoqoftë, përplasja me Cruyff në sezonin 1994-1995 i dha fund fazës së tij me katalanasit. Pasi fitoi Kupën e Botës 1994, lojtari theksoi se i duheshin më shumë pushime dhe nuk u paraqit. Ai u kthye me vonesë dhe historia nuk mbaroi mirë.
Ronaldo Nazario

Presidenti aktual i Valladolid luajti për Barcelonën në sezonin 1996-1997. Robson e zgjodhi si një futbollist vendimtar në metrat e fundit dhe mund të themi se ishte një vendim i saktë: 47 gola në 49 ndeshje. Sulmuesi dëshironte të vazhdonte, por presioni i këshilltarëve të tij dhe fakti që nuk ndihej i vlerësuar, siç ka deklaruar më vonë publikisht, e dërgoi tek Interi. Klubi italian pagoi klauzolën e tij: 4.000 milionë peseta (25 milionë euro). Një shifër rekord për kohën.
Luis Figo

Largimi i portugezit është një nga më të përfolurit dhe më të kujtuarit nga tifozët e Barçës. Figo dëshironte një përmirësim të kontratës me katalanasit, gjë që nuk erdhi. Për pasojë, zgjodhi rrugën më të urryer. Ai e lidhi të ardhmen me një fitore të mundshme të presidencës nga Florentino Pérez, i cili premtoi të paguante çmimin përkatës, nëse zgjidhte Real Madridin. Pak besuan në triumfin e presidentit aktual, por ky ishte rasti dhe Figo kaloi te galaktikët për 61 milionë.
Ronaldinho

Braziliani që joshi “Camp Nou” dhe mori duartrokitje në “Santiago Bernabéu” ishte viktima e Guardiolës, kur ky i fundit mbërriti në stolin blaugrana, së bashku me Deco dhe Etoo, edhe pse ky i fundit zgjati një sezon më shumë. Në atë kohë, Ronaldinho bënte më shumë tituj për jetën e tij private sesa për talentin. Në çdo rast, largimi i tij ishte një goditje për tifozët katalanas, mjaft të lidhur me buzëqeshjen e një futbollisti, që ndryshoi imazhin e klubit. Ai nënshkroi me Milanin për 25 milionë.
Zlatan Ibrahimovic

Sulmuesi suedez nënshkroi me Barcelonën për 78 milionë dhe u largua te Milan për 25 milionë, një sezon më vonë. Marrëdhënia e tij e keqe me Pep Guardiolën e dinamizoi vazhdimësinë te Blaugrana-t, pavarësisht se tregoi cilësi në fushë. Kimia e tij me Leo Messin, nuk ishte më e mira, pasi argjentinasi po fitonte rëndësi në repartin e sulmit, habitatin natyror të Ibrahimovic. Suedezi i është referuar Guardiolës, në mënyrë sarkastike, në shumë raste si “filozofi”.
Neymar Jr

“Telenovela” e fundit në “Camp Nou”, me lejen e Leo Messit. Futbollisti brazilian u integrua në mënyrë perfekte në ekip dhe në qytet. Neymar ishte pjesë e një “tredhëmbëshi” vdekjeprurës me argjentinasin dhe Luis Suárez, por PSG trokiti në derën e tij dhe anësori tha “po”. Ekipi u përpoq ta bindte, por kushtet dhe projekti nuk e penguan lamtumirën e tij për 222 milionë. Barça është përpjekur ta rikthejë Neymar në disa raste.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




