Futboll

Messi, lufta vazhdon: Nuk do paraqitet në teste, Barça shkarkon avokatët që e këshilluan

Nuk ka paqe në luftën mes Messi e Barcelona. Sot janë parashikuar testet mjekësore për të gjithë lojtarët por Leo, përmes të atit, ka bërë të ditur se nuk do të paraqitet. Nuk do të jetë gjithashtu edhe të hënën për rinisjen e stërvitjes për sezonin e ri, duke munguar në seancën e parë nën drejtimin e Ronald Koeman. Në këtë pikë është e qartë se Messi e konsideron të përfunduar kontratën e tij me klubin.

Argjentinasi e stafi i tij e quajnë të vlefshme klauzolën për t’u liruar me parametër zero në fund të çdo sezoni, ndërsa Barca e quan të skaduar në 10 qershor. E ndërkohë, sipas asaj që bëjnë të ditur mediat katalanase, në fakt, Josep Maria Bartomeu ka vendosur të shkarkojë avokatët e studios Cuatrecasas, konsulentët legalë të Pleshtit aq sa edhe të Barcelonës, “fajtorë” se i kanë këshilluar dhe e kanë drejtuar argjentinasin në zgjedhjen për tu larguar nga klubi blaugrana.

Vendim që pritet të shkaktojë polemika, sepse studio Cuatrecasas është një nga më të rëndësishmet e kryeqytetit katalanas, por edhe pikë referimi për Barça në katër vitet e fundit. Në qendër të stuhisë është Jorge Pecourt, një avokat i specializuar në çështjet fiskale, të drejtat e imazhit e aspektet kontraktuale. Ai e ka këshilluar dërgimin e burofax-it të famshëm me të cilin 6 herë Topi i Artë i komunikonte Barcelonës dëshirën për të ndërprerë kontratën. Ajo që nxehu gjakrat, siç shpjegohet nga gazeta katalanase Cronica Global, ishte fakti që Cuatrecasas nuk e paralajmëroi klubin për këtë veprim, duke i kapur të gjithë në befasi. Në çdo rast, ngjarja e fundit duket se është konfirmimi i mënyrës se si marrëdhënia midis Leo dhe klubit është shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë