Futboll

VIDEO/ Penalltitë dërgojnë Laçin në turin e dytë, Gega debuton me sukses

Kukësi ia ka dalë të kalojë në raundin e dytë të Europa League, falë një fitore ndaj Slavias me rezultatin 2-1. Trajneri Skënder Gega dhe djemtë e tij arritën të kalojnë me meritë të plotë bullgarët. Skuadra verilindore ka luajtur më mire në pjesën e parë, duke krijuar raste, e duke bllokuar rivalët. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-0, pavarësisht rasteve të mira.

https://streamable.com/olrdzr

Pjesa e dytë ishte e mbushur me emocione, pasi u shënuan dhe të 3 golat e ndeshjes. Kështu, i futuri në fillimin e pjesës së dytë, Eze u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën e 55-të, duke kaluar Kukësin në avantazh. Slavia arriti të barazojë shifrat në të 81-ën, me anë të Krastev, duke krijuar idenë se ndeshja do të shkonte në shtesë. Nuk ndodhi kështu, pasi i futuri në fushë, Cooper, gjeti rrjetën në të 85-ën, duke i dhënë kualifikimin Kukësit.

Në ndeshjen tjetër, Laçi nisi në transfertë rrugëtimin europian duke u kualifikuar ndaj azerëve të Keshlës, pasi triumfuan pas gjuajtjes së 11-metërshave. Një duel i vështirë ky për ekipin e udhëhequr nga Armando Cungu, ku 90 minutat e rregullta përfunduan në barazim pa gola, ku të dy skuadrat kishin shanset e tyre për të shënuar. Që prej minutës së 72′ Laçi luajti me 10 lojtarë, pasi Lukas Ramos ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë, pas një faulli në mesfushë.

https://streamable.com/ra8v6j

Në shtesë Laçi vijoi të luante e tërhequr. Keshla tentoi të zinte në befasi kurbinasit me goditjet standarde, por rezultuan të pasakta. I vetmi rast për Laçin ishte në minutat e fundit, por Nwabueze gabon. 120 minutat u mbyllën 0-0 dhe ishin penalltitë që vendosën kualifikimin. Nwabueze hapi serinë e penalltive, duke u pasuar më pas nga Lushkja, Donald Rapo, Mazrekaj dhe Ignjatovic. Portieri shkodran priti penalltinë e Qyrtymov, që i siguroi kualifikimin në turin e dytë të Europa League.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë