Futboll

Champions, Klopp godet Bayernin: U ndihmuan nga fati

Jurgen Klopp kalon trofeun e kampionit të Europës tek rivalët e vjetër të Bayern Mynih, ndërsa i hedh një kunj. “Bayern ka qenë pak me fat se, në mes të të gjithë kaosit me programet, kalendari gjerman ishte ndoshta më i përshtatshmi për Champions League” ka thënë tekniku i Liverpool për ZDF. Nuk mungojnë edhe komplimentet për bavarezët. “Për momentin është natyrisht një nga skuadrat më të mira absolutisht, janë të plotësuar në çdo drejtim. Kanë lojtarë të nivelit botëror në çdo pozicion e të gjithë në moshën e duhur”.

Sipas teknikut, përtej meritave nën sytë e të gjithëve të skuadrës së Flick, kalendari i tronditur nga pandemia e koronavirus ka qenë një ndihmesë për Bayern. Gjermania, në fakt ishte vendi i parë europian që u kthye në veprim në maj, pasi Covid-19 i ndaloi të gjithë kampionatet. Në këtë mënyrë Bayern i shpërndau impenjimet e shumta dhe pati më tepër kohë për të rikuperuar.

Bayern u kurorëzua në Lisbonë si mbreti i Evropës pasi fitoi me rezultatin 1-0 kundër PSG. Gjermanët kishin që nga vitit 2013 që e prisnin këtë moment dhe ia dolën falë golit të Kingsley Coman. Fitorja ndaj francezëve u dha atyre çmimin më të rëndësishëm të kontinentit, sukses që e arritën për herë të gjashtë në historinë e klubit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë