Futboll

Vllaznia përforcohet në sulm, nënshkruan me ish-lojtarin e Chievos

Skuadra e Vllaznisë vijon përgatitjet për sezonin e ardhshëm nën drejtimin e trajnerit gjerman Brdarić dhe ndihmësve të tij. Paralelisht me punën në fushë, shkodranët vijojnë të jenë shumë aktivë edhe në merkato, ku po mundohen të sjellin elementët e duhur, për të shmangur një paraqitje si ajo e sezonit të kaluar.

Pasditen e djeshme Vllaznia ka prezantuar afrimin e sulmuesit brazilian Victor Da Silva, i cili do të vihet menjëherë në dispozicion të skuadrës. 25-vjeçari ka dalë nga akademia e Chievo Veronas dhe që në sezonin e largët 2012-2013 ka debutuar në elitën e futbollit italian duke u aktivizuar për 20 minuta në sfidën e Serie A ndaj Atalantës, ndërsa sezonin e fundit ka luajtur për skuadrën Virtus Verona në Serie C, ndërsa numëron edhe disa eksperienca në Serie B ku spikasin ato me Brescian dhe Pescarën skuadra me të cilat është aktivizuar në sezonin 2014-2015 dhe ka shënuar edhe 4 gola, nga 2 me secilën.

Më herët Vllaznia afroi në portë Bojan Zogovic, i cili do të zëvendësojë Alen Sherrin e larguar drejt Laçit si dhe mbrojtësin Enes Isufi, që rikthehet në qytetin e tij të lindjes, pas 2 aventurave me Skënderbeun dhe Luftëtari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë