Futboll

Armando Broja ndërron ambient, huazohet në kampionatin holandez

Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Armando Broja, këtë sezon të ri, nuk do të jetë më pjesë e të rinjve të Chelsea, dhe ka vendosur të ndryshojë ambient. Bëhet fjalë për një huazim tek klubi satelit i Chelsea që militon në kampionatin holandez, Vitesse, që gjithashtu është në pronësi të manjatit rus Roman Abramovich. Te kjo skuadër ka luajtur edhe sulmuesi i Kosovës, Milot Rashica, i cili është aktivizua në 100 takime me fanellën e kësaj skuadre dhe ka realizuar 15 gola, para se të transferohej në Bundesligën gjermane.

Broja, i datëlindjes 2001, është i pajisur me pasaportë angleze dhe shqiptare, por ka vendosur që të përfaqësojë kombëtaren e Shqipërisë. Sulmuesi ka bërë paraqitje mjaft të mira me të rinjtë e Chelsea, duke shënuar 19 gola në 31 ndeshje të zhvilluara me ekipin U19 dhe atë U23, si dhe duke debutuar në kampionatin anglez me skuadrën e parë të drejtuar nga Franck Lampard.

Sulmuesi 18-vjeçar me origjinë nga Malësia e Madhe është një nga talentet më premtues të Kombëtares. Deri tani ka qenë pjesë e Kombëtares U-19, ku ka luajtur 3 ndeshje dhe ka shënuar 1 gol, si dhe e Kombëtares U-21. Tani është radha e Kombëtares A.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë