Futboll

VIDEO/ ‘’Sevilla League’’, spanjollët thyejnë United dhe kalojnë në finale

Në qoftë se ka një skuadër eksperte në Europa League, dekadën e fundit, ajo është padyshim Sevilla. Spanjollët kanë kaluar në finale të Europa League, duke eliminuar në gjysmëfinale Manchester United me rezultatin 2-1. “Djajtë e kuq” ishin favoritë në këtë sfidë dhe shënuan golin e avantazhit që në minutën e 9’, kur fantazisti portugez Bruno Fernandes ekzekutoi saktë një 11-metërsh, ndërsa më pas shpërdoruan edhe mundësi të mira për të dyfishuar shifrat.

https://streamable.com/u57j8h

Andaluzianët e drejtuar nga Julen Lopetegui rikthyen baraspeshën në minutën e 26’, me golin e shënuar nga sulmuesi i afruar në muajin janar nga Milani, Suso, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej në shifrat 1-1.

Pjesa e dytë filloi furishëm për Manchester United, duke rrezikuar në çdo aksion, por pa produkt final. Kur të gjithë prisnin që United të shënonte golin e dytë, Sevilla rikthehet në avantazh në minutën e 78’, duke ndëshkuar United në fund të ndeshjes. De Jong ka rikthyer spanjollët përpara, duke përfituar nga një pozicionim i keq i mbrojtjes së United. Spanjollët bëhen kështu skuadra e parë finaliste e Europa Leagues dhe do të ndeshen në finale me fituesen e Inter-Shkahtar. Sevilla është skuadra që e ka fituar më së shumti Europa League, plot 5 herë, në vitet 2006, 2007, 2014, 2015 dhe 2016, ndërsa këtë vit do të synojë suksesin për herë të 6 në histori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë