Koronavirusi godet sërish botën e futbollit. Dy nga klubet më të madhe në Serbi, Crvena Zvezda dhe Partizani i Beogradit tashmë rrezikojnë dhe mund ta pësojnë nga UEFA. Futbollisti i skuadrës serbe Napredak, Marko Mrkić, duhet të karantinohet sepse ka rezultuar pozitiv. Për shkak të kësaj, Mrkić nuk do të jetë në gjendje të luajë në ndeshjen e radhës në kampionatin serb, por kjo ka shkaktuar shqetësim edhe te klubet e mëdha serbe sepse ata janë përballuar me Napredak kohët e fundit. Rreth njëzet ditë më parë, më 25 korrik, Napredak luajti një ndeshje miqësore kundër Crvena Zvezda, ndërsa disa ditë më vonë luajti në kampionat kundër Partizanit.
Duke marrë parasysh që Zvezda do të luajë në kualifikimet për Champions League të martën, kurse Partizani pas një jave në kualifikimet për Ligën e Europës, klubet serbe po shpresojnë që Mrkic nuk ka infektuar askënd, sepse kjo mund t’i kushtojë me përjashtim nga garat. Një lajm që i shkon përshtat edhe Tiranës, që në rast kualifikimi ndaj Dinamo Tbilis, në raundin pasardhës të Champions-it do të ndeshet me Cervena Zvezdën.
UEFA nuk do të tolerojë skuadrat që kanë lojtarë të infektuar dhe tashmë ekziston shembulli i Dritës së Gjilanit, fituese e kampionatit 2019-2020 në Kosovë, e cila e ka humbur në tavolinë me rezultat zyrtar 3:0 ndeshjen finale të raundit paraeliminator të Champions League-s kundër Linfield. Arsyeja kryesore e këtij vendimi është pamundësia e shtyrjes së ndeshjes më shumë se tri ditë (14 gusht), e ku sipas vendimit thuhet se autoritetet zvicerane kanë kërkuar karantinim për 10 ditët në vazhdim për ekipin kosovar, pasi dy futbollistë të Dritës rezultuan pozitivë në testet Covid-19.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




