Detajet bëjnë diferencën në sport e sidomos në futboll. Bëjnë të dallohet një lojtar nga një tjetër, një klub nga një tjetër, një kategori nga një tjetër. Detajet tregojnë seriozitetin dhe qëllimin real të atyre që e drejtojnë një klub. Zakonisht ndodh që modelet merren nga niveli superior i futbollit dhe imitohen, por Gazeta Si sjell një rast ndryshe, Labërinë.
Një leksion i bukur e domethënës edhe për klubet më me emër të futbollit shqiptar vjen nga niveli më i ulët i futbollit shqiptar, Kategoria e Tretë, ku Labëria ishte e destinuar të bënte diferencën. Gjithçka e kuruar me detaje që në fillim, një ekip i kompletuar me bazë materiale, faqe zyrtare më e mirë se edhe e klubeve të Superiores dhe ndeshje të transmetuara në “livestream”. Tashmë kjo skuadër, e ngjizur në Amerikë, bën pjesë zyrtarisht në Kategorinë e Dytë të futbolli shqiptar. Organizim perfekt në të gjithë aspektet, i finalizuar me titullin kampion të Kategorisë së Tretë, që u luajt disa javë më parë në Kamzë. Historinë e veçantë të kësaj skuadre e tregon trajneri i saj, Arlind Rustemi, një ish-lojtar i Flamurtarit.
Si lindi Labëria
“Klubi FC Labëria është formuar në vitin 2011, në Nju Jork, dhe mori pjesë në “Cosmopolitan league”. Dy vëllezërve nga Vlora, emigrantë në Amerikë, u lindi ideja të krijonin një klub për të përfaqësuar gjithë krahinën e Labërisë. Financimi i skuadrës sonë bëhet nga komuniteti shqiptaro-amerikan”, - tregon për Gazeta Si trajneri Rustemi. Në fakt, në skuadër nuk ka vetëm lojtarë labë.
“Jo detyrimisht lojtarët duhet të jenë nga Labëria, por meqenëse ne ndodhemi në Vlorë, normale që prioritet të kanë futbollistët vendës dhe kryesisht ata të moshës 19-23 vjeç, duke u dhënë një mundësi që mund t’u jetë mohuar diku tjetër, për të shprehur cilësitë e tyre më fanellën e Labërisë”, - vazhdon më tej trajneri vlonjat.
Projekt për një klub model
Labëria nuk është një kënaqësi e momentit, është një projekt serioz dhe ambicioz, pavarësisht vështirësive. “Sigurisht, ambiciet dhe planet për të ardhmen janë që ne të ndërtojmë një klub model, por për rezultate konkrete duhet të presim pak. Shpresojmë që vitin e parë të përfaqësohemi denjësisht në Kategorinë e Dytë. Kemi vështirësi, sidomos për pjesën e stërvitjes, pasi qyteti i Vlorës nuk ta ofron mundësinë për të marrë fusha me qira dhe alternativat janë të pakta.
Është mëkat që një qytet si Vlora, që e ka dashur gjithmonë futbollin, të vuajë për terrene sportive. Për momentin seancat stërvitore i kemi zhvilluar në fusha minifutbolli, ndërsa lajmi i mirë është se shumë shpejt do të ndërtohet stadiumi, madje punimet për fushën kanë filluar dhe shpresojmë të përfundojnë brenda një afati 2-mujor. Paralelisht po ndërtohen edhe dhomat e zhveshjes për të pasur mundësi të marrim pjesë në Kategorinë Dytë, gjithmonë duke bashkëpunuar me FSHF-në”, - pohon Rustemi.
Skuadra e sezonit të ri
Labëria do t’i besojë grupit që e ngjiti në Kategorinë e Dytë, por sigurisht që do ta përforcojë atë. “Jemi të përqendruar me tepër në organizimin e klubit dhe infrastrukturës, por paralelisht po mendojmë të ndërtojmë një skuadër kompetitive dhe shumë shpejt do të fillojmë të prezantojmë lojtarët. Labëria është një emër i ri për qytetin e Vlorës, por është në rrugën e duhur për t’u bërë pjesë e klubeve elitare. Patjetër që ky është një plan afatgjatë, por mendojmë që me elementët që ndodhen në Vlorë dhe me ndërthurjen e 4-5 lojtarëve me përvojë, të renditemi në 5 ekipet e para në Kategorinë e Dytë.
Flamurtarit ose Orikumit i urojmë suksese dhe shpresojmë të takohemi në Superiore, jo në të Parën, sepse është mëkat për një klub si Flamurtari, që i ka dhënë shumë Kombëtares dhe kampionatit kombëtar, të luajë në Kategorinë e Parë”, - përfundon Arlind Rustemi, trajneri i Labërisë, skuadrës më të re të krahinës së Vlorës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.