Një tjetër trofe i fituar nga vajzat e Vllaznisë, të cilat nuk kanë rivalë në futbollin e femrave. Pas titullit kampion, kjo skuadër ka bërë të sajin edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë. Shkodranet mundën thellë, 4-0, Apoloninë në finalen e zhvilluar në “Elbasan Arena”.
Ndeshja e arbitruar nga ndërkombëtarja Emanuela Rusta u zgjidh që në pjesën e parë, kur Lufo, Leba dhe Gjini shënuan tri herë në portën e fierakeve. Asnjë shans për Apoloninë që në momente të caktuara dha vetëm disa sinjale pozitive, por pa mundur ta gjejë rrugën e rrjetës. Në pjesën e dytë Vllaznia e uli pak ritmin, megjithatë shënoi edhe golin e katërt me Megi Doçin, e cila realizoi nga pika e bardhë e penalltisë.
Duhet theksuar se në futbollin e femrave në Shqipëri ka disnivel shumë të madh. Vllaznia ka vënë diktatin e saj dhe nuk diskuton asnjë ndeshje dhe asnjë trofe. Apolonia, finaliste e Kupës së Shqipërisë dhe e dyta në kampionat, ka afruar disa lojtare të huajara, por sërish ka goxha diferencë me shkodranet. Po ashtu, skuadrat e tjera të kampionatit kanë diferencë me fieraket dhe akoma më shumë me shkodranet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.