Futboll

Ferran Torres firmos me Sitin, Guardiola ia rrëmben Juves talentin spanjoll

Ferran Torres zgjedh Mançester Sitin dhe jo Juventusin. Lojtari anësor i Valencias ndiqej prej kohësh nga klubi italian, por pa i intensifikuar përpjekjet, kështu që Mançester Siti ka përfituar dhe ka mbyllur marrëveshjen me spanjollin e datëlindjes 2000.

Spanjollja “Marca” jep edhe detajet e marrëveshjes. Sipas saj, klubi anglez ka firmosur kontratën me sulmuesin anësor, i cili do të transferohet te Siti për shumën e 25 milionë eurove, plus 12 milionë euro bonuse.

Ferran Torres ndaj Atalantës në Champions. Gazeta Si, 30 korrik 2020

Një shifër e pranueshme, duke ditur kualitetin e djaloshit spanjoll dhe konkurrencën për të gjatë javëve të fundit. Kontrata e tij me Valencian skadonte pas 12 muajsh dhe lojtari nuk kishte pranuar të rinovonte, ndaj dhe klubi pranoi ofertën e “qytetarëve” pa u menduar gjatë. Sezonin e ardhshëm Valencia nuk luan në Ligën e Kampionëve dhe rrezikonte që ta humbiste këtë futbollist pa arkëtuar asnjë euro.

Një rol të rëndësishëm në zgjedhjen e Mançester Sitit pati edhe vendimi i KAS-it, që hoqi dënimin e ekipit anglez për 2 vjet jashtë Kupave të Europës. Tani Siti mund të luajë në Ligën e Kampionëve dhe trajneri Pep Guardiola do të ketë një lojtar me kualitet në skuadër, siç është patrioti i tij, Ferran Torres. Ai e bindi talenti spanjoll të linte mënjanë Juventusin, por edhe klube të tjera si Borusia Dortmund dhe Mançester Junajitd. Te Mançester Siti, Ferran Torres do të zëvendësojë talentin gjerman Leroi Sane, i cili u kthye në vendin e tij për të veshur fanellën e Bajern Mynih.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë