Futboll

Juventusi nuk heq dorë nga Zhorzhinjo, fut edhe Rabiot në tratativa

Ka zëra që thonë se largimi i Miralem Pjaniç nuk e ka shqetësuar trajnerin Mauricio Sarri, sepse klubi e ka garantuar atë për afrimin e Zhorzhinjos. Drejtuesit e Juventusit po bëjnë gjithçka për të veshur bardhezi mesfushorin brazilian, një nga të preferuarit e Sarrit që nga koha kur drejtonte Napolin. Ishte Sarri që e kërkoi me çdo kusht Zhorzhinjon edhe te Çelsi.

Klubi londinez është dakord për shitjen e mesfushorit, por kërkon 60 milionë euro. Një shifër jo e vogël, po të kemi parasysh periudhën që po kalojmë, që ka ndikuar edhe te tregu i lojtarëve. Për këtë arsye, Paratiçi kërkon të përfshijë në tratativa edhe kartonin e Adrien Rabiot, francezit që u bashkua me Juventusin verën e kaluar me parametra zero, por deri tani nuk u është përgjigjur pritshmërive, pavarësisht paraqitjes së mirë në ndeshjet e fundit. Kalimi i Rabiot te Çelsi mund të përgjysmonte shifrën e kërkuar nga anglezët për Zhorzhinjon.

Zhorzhinjo, mesfushori i Çelsit. Gazeta Si, 2 korrik 2020

Për Rabiot ka një interesim edhe nga Evertoni i Karlo Ançelotit. Juventusi tani ka në plan të sjellë edhe Zhorzhinjon për të bërë një mesfushë të re, bashkë me barazilianin tjetër Artur, i ardhur nga Barcelona vetëm pak ditë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë