Treg

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, qeveria shtyn afatin deri në fund të vitit

Qeveria ka miratuar shtyrjen deri në fund të vitit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme. Nga 30 shtatori, afati shtyhet deri në 31 dhjetor 2020.

Shtyrja e propozuar nga financat ka ardhur për shkak të ndikimit të COVID-19, në punët e administratës shtetërore.

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme ka për qëllim nxitjen e formalizimit me vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme

Nga 17 janari 2020, kur ka hyrë në fuqi ligji deri në 17 mars 2020, kohë kur nisi izolimi për shkak të pandemisë, numri i aplikimeve për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme është 15 071.

Nga 18 mars-22 maj numri i aplikimeve  është 4835. Ndryshimi i zakoneve të punës për shkak të pandemisë ka ulur 68 % numrin e rivlerësimeve të pasurive të paluajtshme.

Të gjithë personat që kanë në pronësi një tokë ose ndërtesë të regjistruar ose fitojnë pronësinë,  mund ta rivlerësojnë atë sipas ligjit me tatimin 3%.

Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë ASHK-ja apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse. Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën prej këtyre pasurive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë