Lajme

Të premten vijnë charter-at e parë me turistë të huaj në Shqipëri

Këtë të mërkurë në ambientet e “Prestige Resort” në Golem është zhvilluar mbledhja e Task-Forcës për Turizmin.

Në këtë tryezë të gjerë me zyrtarë dhe ekspertë të turizmit, ministri i Turizmit, Blendi Klosi njoftoi se ditën e premte do të vijnë në Shqipëri charterat e parë me turistë të huaj për të pushuar në Shqipëri.

Klosi tha se pritshmëritë për pushues të huaj nuk janë si vitet e shkuara, por ky është një sinjal i mirë për rifillimin e jetës turistike, pas pasojave të koronavirusit.

“Duke shpresuar se do kemi një sezon të menaxhuar normal 2020, duke ju kërkuar dhe njëherë vëmendje për ato që përmenda dhe detyra të çdo dite që do kalojmë në sezonin turistik ju kërkoj që të jemi shumë aktivë në këtë mbledhje të sotme për të pasur mundësi ne do ngremë piketat që të zgjidhim shumë problematika.

Ditën e premte fillojnë charter-at e parë, janë shumë pak në krahasim me vitin e kaluar, por që janë sinjali i parë që po zgjerohet jeta turistike. Ju kërkoj që ky vit të jetë një vit shumë më tepër i rakorduar dhe i stabilizuar dhe nga pikëpamja e komunikimit”, tha Klosi.

Ministri Klosi ka dhënë porosi edhe për operatorët privatë, të cilët kërkojnë leje për të marrë në përdorim plazhet për sezonin turistik. Ministri tha se në vend janë në total 3300 stacione plazhi, të cilat menaxhohen nga privatët, por ndërkohë sipas tij deri më tani kanë aplikuar vetëm 800 subjekte. Për ministrin e Turizmit, 15 qershori është afati i fundit për të aplikuar nëpërmjet E-Albania.

Ai është shprehur ndër të tjera se operatorët privatë duhet të kenë parasysh në këtë situatë të krijuar nga koronavirusi, se duhet të kenë prioritet higjienën në plazhe, të sigurojnë jetën e qytetarëve, po ashtu të vendosin banjo publike dhe dushe.

Task-Forca për Turizmin, Lleshaj: Do të shtohen kontrollet nga policia

Ndërsa, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i pranishëm në mbledhjen e Task-Forcës për Turizmin e ka vënë theksin në dy aspekte, te krimi mjedisor dhe siguria në plazhe.

Lleshaj tha se ndotja e pasurive natyrore është një problematikë serioze në vend, ndërsa shtoi se kjo papërgjegjshmëri po paguhet shtrenjtë nga biznese që, sipas ministrit, hedhin në lumenj çdo gjë që i tepron.

Ministri theksoi mes të tjerash se Policia e Shtetit së bashku me IKMT kanë nisur aksionin për t’i dhënë fund këtij fenomeni, duke shtuar se  për këto subjekte po vendosen gjoba, si dhe kanë nisur procedime penale për personat përgjegjës.

Sa i përket sigurisë në plazhe, Lleshaj u shpreh se do të shtohen kontrollet nga Policia, për parametrat e sigurisë për ata që operojnë në një stacion plazhi.

“Problematike është krimi mjedisor. Për të çliruar këto asete nga ndërhyrjet e papërgjegjshme njerëzore, nga dëmet e mëdha që i bëjnë. Kanë filluar goditjet e këtij fenomeni, por po goditen shumë njerëz, qindra miliona gjobë që po i vihet bizneseve që hedhin pa asnjë lloj kujdesi në lum çdo gjë që i tepron. Kjo kërkon bashkëpunim që ky fenomen të marrë fund dhe të kontribuohet për cilësinë e turizmit.

Policia e Shtetit bashkë me IKMT veprojnë si strukturë unike dhe godasin në dy aspekte, me gjobë dhe fillimin e procedimit penal. Aspekt tjetër është siguria në plazhe, Policia e Shtetit do të vazhdojë me intensitet të shtuar që të rrisë kontrollet për parametrat e sigurisë për ata që operojnë në një stacion plazhi. Polica do të ndërhy në funksion parandalues, për të bërë të mundur që jeta e njerëzve të jetë e garantuar nga të gjitha format e rrezikut që kërcënojnë njerëzit gjatë pushimeve. Stacionet e plazhit duhet të pastrohen nga ata që i kanë marrë në përdorim”, është shprehur ministri Lleshaj.

Ndër të tjera, Lleshaj është shprehur se “duhen angazhuar punonjësit e bashkive, të administratës qendrore, të vëmë nga një dorë të gjithë që kjo të mbyllet shpejt. Këto duhen mbyllur brenda javës së ardhshme, nëse vërtetë duam të nisim sezonin pa asnjë cen. I kërkoj prefektëve që duke nisur nga sot të ndajnë sektorët e përgjegjësive. Edhe aktorët e shoqërisë civile duhet të venë një dorë për ta çuar situatë në nivelin e duhur”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë