Treg

“Protestat s’ndalen. Nuk heqim dorë nga ulja e TVSH-së 6% dhe heqja e akcizës së naftës”

Shoqata e Transportit Ndërqytetas pohon se u është premtuar ulja e TVSh-së dhe po diskutohet edhe për akcizën e naftës

Qeveria vendosi të mbështesë sektorin e transportit publik duke njohur si shpenzim të zbritshëm 100% konsum të naftës, zero taksa dhe po ashtu zero tarifa vendore deri në 31 dhjetor 2020. Po ashtu sipas qeverisë brenda 2020-ës do të kryhet reforma e plotë ligjore/fiskale e sektorit dhe në 1 janar 2021 do të nisë zbatimi i saj me biletën elektronike.

Kujtim Mema, kreu i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas thotë për gazetën “Si” se është i kënaqur me plotësimin e kërkesave dhe nga takimi i një dite më parë me Drejtorin e Shërbimit të Transportit Rrugor Blendi Gonxhe doli optimist pasi u është premtuar edhe ulja e TVSH-së së biletës në 6%. Po ashtu, tregon Mema për “Si”, po diskutohet edhe heqja e akcizës së naftës.

Eneo Sulejmanaj, Shoqata e Transportit Ndërqytetas dhe Rrethqytetas i Udhëtarëve

Por Shoqata e Transportit Ndërqytetas dhe Rrethqytetas i Udhëtarëve me kryetar Eneo Sulejmanaj thotë se qeveria nuk ka marrë parasysh dy nga kërkesat më thelbësore “nga të cilat ne nuk heqim dorë dhe për të cilat nuk negociojmë në mënyrë absolute. Ulja e TVSH-së dhe heqjen e akcizës. Ne nuk do të nisim nga puna më 15 qershor nëse nuk na realizohen këto dy kërkesa. Nesër do të dalim sërish në protestë në orën 10”.

Kurse Mema thotë me bindje se “edhe dy kërkesat do të plotësohen këto ditë. Na premtuan dhe ne do të dalim me domosdo në punë, pasi nuk mund ti shohim punonjësit tanë të zvarriten për bukë. Nuk po mendojmë më për fitime. Kjo ishte situatë e vështirë për të gjithë. Mirë për dikë që ka biznes dhe kishte rezerva, po shoferët dhe familjet e tyre?”.

Por Mema vëren se një gjë nuk mund të negociojë, informalitetin.

Kujtim Mema, Shoqata e Transportit Ndërqytetas

Tek bisedon me gazetën “Si” në telefon ai ndodhet në Pogradec për një takim pune dhe tregon se “furgonë të palicencuar në këmbët e mia janë të mbushur plot, duke mos plotësuar asnjë protokoll sigurie anti Covid-19 dhe me çmim dy-fish. Ne këtë nuk e tolerojmë. Nëse vëmë re fenomene të tilla pasi të rinism nga puna dhe qeveria nuk merr masa, do të protestojmë duke ndërprerë punën dhe bllokuar rrugët”.

Qeveria vendosi që transporti publik si ai urban dhe qytetas të nisë më datë 15 qershor me 70% kapacitet duke respektuar protokollin e sigurisë anti covid-19; mbajtjen me detyrim të maskave dhe dezinfektim duarsh.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë