Treg

HEC-et e vegjël do ta shesin më lirë energjinë

HEC-et e vegjël nuk do ta shesin më enegjinë me çmimin e mëparshëm dhe nuk do të kenë më përparësi.

Qeveria ka miratuar ndryshimin e bonusit për promovimin e burimeve të rinovueshme nga 1.3 në 1.2, duke ulur shumën që do t’u paguhet prodhuesve ekzistues me përparësi.

Koeficienti është pjesë e metodologjisë mbi bazën e së cilës përllogaritet çmimi vjetor me të cilin hidrocentralet deri në 15 MW shesin energjinë elektrike.

Kjo është ulja e dytë pas asaj të muajit janar, kur u vendos që çmimi do të ishte 8.0532 lekë/ kwh, nga 8.4582 lekë/ kwh që ishte gjatë vitit 2019.

Kjo tregon që qeveria po përpiqet t’u thotë investitorëve që të mos ndërtojnë HEC-e të vegjël. Në deklaratat e fillimnëntorit 2019, teksa prezantonin buxhetin e 2020-s, si Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, po ashtu edhe Ministrja e Energjisë Belinda Balluku, do të deklaronin se shumë shpejt do të kishte një moratorium për HEC-et e vegjël.

Ministri Klosi do të thoshte në atë kohë, se nga këto hidrocentrale nuk ka të fituar, vetëm të humbur, si mjedisi, turizmi dhe komunitetet përqark ku ndërtohen.

“Ne jemi në një fazë moratoriumi të pashpallur për HEC-et e vegjël. Do të kontrollohen ata që janë të ndërtuar aktualisht dhe do të bëhet një masterplan se ku mund të ndërtohen në të ardhmen këta HEC-e”, do të shprehej ai.

Të njëjtën gjë më herët do ta shprehte edhe ministrja Balluku. Ajo do të premtonte se do të rishikonte lejet për rreth 400 HEC-e të vegjël, të liçensuar nga qeveritë shqiptare “Berisha” e “Rama”, të cilat janë përdorur si argument për rritjen ekonomike dhe fuqizimin e tregut hidroenergjitik në Shqipëri.

Belinda Balluku ka kritikuar skemën e garantimit të blerjes së energjisë për hidrocentralet e vegjël, pasi sipas saj kjo është përkthyer në një faturë të kripur për qeverinë shqiptare, duke arritur në rreth 40 mln euro në vit.

Sipas Ballukut, kjo formë nuk është efektive, ndaj dhe ka ardhur momenti që HEC-et e rinj të mos mbështeten me subvencione. Po ashtu, ministrja e ka konsideruar si abuzive edhe mbështetjen shtetërore për impiantet e vegjël që do të prodhojnë energji nga dielli, ndonëse diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë është një domosdoshmëri për vendin tonë, që aktualisht prodhon mbi 95% të energjisë nga uji. Sipas saj, skema e subvencionimit do të orientohet te depozitat e energjisë, me qëllim uljen e importeve.

Sipas OKB-së, Shqipëria është një nga dy vendet europiane që duhet të diversifikojë urgjent tregun e energjisë, pasi e ka atë të varur tërësisht nga burimet hidrike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë