Treg

Fluturimet në Europë e SHBA me maska e distancim fizik

Komisioni europian do të prezantojë muajin e ardhshëm një set rregullash të reja, duke përfshirë këtu edhe distancimin social, për rihapjen e sigurt të udhëtimit ajror kur izolimi nga koronavirusi të mbarojë. Ndërkohë në ShBA disa linja ajrore kanë marrë vetë masa mbrojtëse për të mos lejuar përhapjen virusit.

Komisioneria e BE-së për transportin, Adina Valean, është shprehur të mërkurën se masat nën konsideratë do të përfshijnë veshjen e maskave dhe dezifektimin e aeroplanëve dhe aeroportëve.

“Të tëra këto do jenë pjesë e udhëzimeve që planifikojmë të nxjerrim nga mesi i majit”, shprehet Valean në një postim në Twiiter.

Kjo lëvizje vjen brenda BE-së pas debateve të shumta që po bëhen në SHBA, në tregun më me fluks të brendshëm ajror në botë, përsa i përket mënyrës se si do të aplikohen rregullat e distancimit social apo të pajisjeve mbrojtëse si maskat e dorezat në udhëtimin me avionë.

Është akoma e paqartë nëse Administrata Federale e Aviacionit në ShBA (FAA, Federal Aviation Administration) e ka autoritetin apo fuqinë për ti detyruar pasagjerët apo stafet e linjave ajrore që të veshin maska në aeroplanë.

Javën e kaluar Administratori i FAA-së Steve Dickson i’u shpreh një unioni të pilotëve se agjencia e tij dhe Qëndrat në ShBA për Kontrrollin dhe Ndalimin e Sëmundjeve kanë planifikuar një përditësim të udhëzimeve mbi fluturimet e stafeve të linjave ajrore si rezultat i shqetësimeve që pilotët kishin mbi infektimin nga koronavirusi, por rregullatorët gjer tani nuk i kanë mandatuar këto kërkesa të reja.

Disa linja ajrore amerikane kanë implementuar masat e tyre të sigurisë si bllokimin e sediljeve të mesme, ndalimin e përkohshëm të përmirësimeve automatike të klasave të udhëtimit (si psh nga economic në economic premium apo business class), dhe ndryshimin e proçesit të hipjes në avion (pra të boarding).

Delta Air Lines dëshiron të shikojë koherencë midis rregullave të reja të qeverisë që kanë si detyrë realizimin e një proçesi të mbarë për udhëtimin e pasagjerëve dhe të stafeve të linjave ajrore, shprehet një zëdhënëse e kompanisë të mërkurën.

Më herët drejtuesi ekzekutiv i Delta Air Lines, Ed Bastian, ka paralajmëruar se një rimëkëmbje gjysmake (pra jo e mirë) në udhëtimin ajror në fund të fundit varet nga ndjesia e njerëzve për të qënë të sigurt.

“Kur i pyet njerëzit se cila është gjëja më e rëndësishme që ata të rinisin udhëtimet ajrore, përgjigja e tyre ka për të qënë besimi te ndjesia për të qënë i sigurt në udhëtim”, shprehet Bastian në një intervistë për shtypin pas publikimit të tremujorit të parë të kompanisë me humbje në tetë vite.

Delta po i inkurajon pasagjerët dhe punonjësit e saj të veshin pajisje mbrojtëse si maska e doreza, shprehet Bastian, duke vënë gjithashtu në dukje se 80% e klientëve të tij tashmë veshin maska kur udhëtojnë në ajër.

Ndërkohë në Kanada, rregullatorët kanë nisur që t’i kërkojnë pasagjerëve që këtë të hënë të veshin maska gjatë fluturimeve.

Bllokimi i sediljeve të mesme

Drejtuesi ekzekutiv i Ryanair Michael O’Leary i ka përshkruar propozimet në Europë, për aeroplanët që të fluturojnë me sedilje të mesme bosh kur kufizimet e udhëtimeve të mbarojnë, si të “çmendura”, duke i argumentuar si jo-efektive dhe të papërballueshme nga ana ekonomike.

Në vend të tyre kompania mbështet prezantimin e kontrrolleve të detyrueshme të temperaturave dhe maskave për pasagjerët dhe stafet e linjave ajrore kur nisin fluturimet.

Linjat ajrore kanë ngritur shqetësime se masat për të ngadalësuar përhapjen e pandemisë mund të dëmtojnë në kohë akoma e më shumë fitimet e kompanive ajrore pas përfundimit të masave izoluese. Shoqata e Transportit Ajror Ndërkombëtar (IATA, International Air Transport Association) ka përllogaritur se kriza do t’i kushtojë linjave ajrore në total 314 miliardë dollarë.

Komisioneria e transportit e BE-së zonja Valean shprehet se do të ishte e pamundur të thuhet se kur industria do t’i rinisë operacionet, por ka vënë në dukje se ajo pret që kërkesat e distancimit të social të vazhdojnë të zbatohen për sa kohë nuk është zbuluar ndonjë medikament apo vaksinë ndaj Covid-19.

“Ne presim që kriza të qëndrojë mes nesh dhe virusi gjithashtu”, shprehet ajo. /Reuters


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë