Shumë shpejt do të marrë jetë marrëveshja me Operatorit të Transmetimit të Energjisë së Kosovës me atë të Shqipërisë të firmosur në fillimdhjetor 2019.
Kjo pasi një ditë më parë është mbyllur procesi i votimit për dhënien e së drejtës dhe pavarësi Kosovës për nënshkrimin e marrëveshjes së lidhjes së KOSTT me Operatorët e Transmetimit të Europës Kontinentale.
Pas Rrugës së Kombit, “autostrada” energjetike është cilësuar si investimi më madhor që lidh dy vendet: Shqipëri-Kosovë
Sipas njoftimit të Ministrisë së Energjetikës së Shqipërisë, rezultati i votimit ka qenë një sukses i plotë, 22 vota pro, 4 abstenim dhe 3 kundra (Spanja, Bosnje-Hercegovina dhe Sllovakia).
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, thotë Ministria është një hap i rëndësishëm për Operatorin e Transmetimit të Kosovës në rrugëtimin e tij për shfrytëzimin e Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës njësoj si të gjitha vendet e tjera të Europës në zbatim të standardeve Evropiane për Operimin e Sistemit. Kjo marrëveshje pritet të hyjë në fuqi në 14 Maj.
Gjithashtu marrëveshja në fjalë ofron mundësinë e rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe krijimin e lehtësirave për tregtarët e energjisë elektrike për të kryer transaksione në kufirin Shqipëri- Kosovë, nxit iniciativat rajonale për bashkimin e tregjeve të energjisë, të cilat parashikohet të sjellin dhe një ulje të çmimeve të energjisë për konsumatorët, duke nxitur njëkohësisht edhe iniciativat e përdorimit të energjisë balancuese, në kuadër të Kodit Europian të balancimit.
Aprovimi i marrëveshjes, i hap rrugës hyrjes në fuqi të marrëveshjes mes OST dhe KOSTT sa i takon uljes së humbjeve teknike në sistemet e transmetimit respektive.
Marrëveshja po ashtu do të bëjë të mundur edhe shtimin e kapaciteteve transmetuese të OST, ku nëpërmjet investimit të ri të planifikuar të linjës 400kV Shqipëri-Maqedoni e Veriut, OST do të jetë e ndërlidhur me të gjithë Operatoret e Transmetimit të vendeve fqinje nëpërmjet rrjetit 400kV, i cili ofron një besueshmëri të lartë në operimin e sistemit elektroenergjetik.
Mendohej që Kosova do të bashkohej në rrjetin energjetik të Shqipërisë nga muaji prill i këtij viti, sipas një marrëveshje të nënshkruar në fillimdhjetor të 2019-ës, duke i dhënë fund varësisë nga rrjeti i Serbisë, autoritetet e së cilës do të reagonin me zemërim.
Marrëveshja për themelimin e Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri do të nënshkruhej nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST),.
Në një njoftim të KOSTT-it thuhej se “operimi si Bllok Rregullues i përbërë prej dy zonave rregulluese, ka për qëllim operimin më të lehtë të dy sistemeve elektro-energjetike si nga aspekti teknik ashtu dhe ai ekonomik. Kjo do të mundësojë operimin dhe balancimin më të lehtë të të dy sistemeve, zvogëlimin e kostove dhe shkëmbimin e rezervave të sistemeve”.
Njoftimi citonte kryeshefin ekzekutiv të KOSTT-it Ilir Shala , të ketë thënë se “kjo është marrëveshje historike për Kosovën meqë deri më tani ne si KOSTT kemi qenë brenda Zonës Rregulluese serbe (EMS), gjegjësisht brenda bllokut rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriu
Ndërsa administratori i përgjithshëm i OST-ut, Skerdi Drenova, do të thoshte se kjo “garanton sigurinë e operimit për të dy Sistemet Elektroenergjetike dhe krijon kushte të favorshme për shfrytëzimin optimal të burimeve gjeneruese brenda Bllokut”.
Në Beograd, shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriç, do të thoshte disa muaj më parë se “Shqipëria e madhe energjetike ekziston vetëm në ëndrrat shoviniste të disa politikanëve në Prishtinë”, ndërsa bëri thirrje që bashkësia ndërkombëtare të mos lejojë zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në Tiranë.
Ai do të thkesonte se Serbia është pronare dhe ndërtuese e rrjetit elektrik në Kosovë, ndërsa “blloku është i pazbatueshëm në terren dhe ai duhet të ndalet nga ana e bashkësisë ndërkombëtare para se të prodhojë pasoja për energjetikën rajonale, madje edhe për qëndrueshmërinë politike dhe të vulosë ardhmërinë e dialogut”.
Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar marrëveshje në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian sipas së cilës KOSTT-i dhe Operatori i Sistemit të Serbisë ( EMS), duhej të fillonin funksionimin si dy zona rregulluese të pavarura në përputhje me kërkesat e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO).
Por, marrja e “vizës” së Kosovës për të bashkëpunuar me Operatorët e Transmetimit të Europës Kontinentale është drita jeshile për jetësimin e marrëveshjes së dhjetorit mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




