Fotografi i agjencisë franceze të lajmeve, AFP, Yasuyoshi Chiba fitoi çmimin prestigjioz të fotografisë “World Press Photo” për vitin 2020. Fotoja tregonte imazhin e një të riu që recitonte një poezi midis protestuesve në Sudan, i cili, për jurinë simbolizonte “shpresën”.
"Me karakterin e saj poetik, fotografia që mori këtë çmim, më e mira në konkursin e “World Press Photo” ilustron fuqinë e rinisë dhe artit", thanë anëtarët e jurisë.
Yasuyoshi Chiba, një fotograf japonez me zyrë në Nairobi, gjithashtu fitoi çmimin e parë në kategorinë “Informacion i përgjithshëm, vetëm imazh” me të njëjtën foto.
Për fotografinë e titulluar "Zëri i Drejtë", anëtarët e jurisë thanë se ajo veç të tjerash tregonte fuqinë e rinisë dhe artit.
Sundimtari i Sudanit Omar al-Bashir u rrëzua prillin e kaluar, duke çuar në një luftë të dhunshme midis ushtrisë dhe lëvizjes pro-demokracisë.
Duke diskutuar mbi fotografinë e tij, Chiba tha: “Ky moment ishte e vetmja protestë e grupit paqësor që hasa gjatë qëndrimit tim. Ndjeva vërtet solidaritetin e tyre të pamposhtur”.
Kryetari i jurisë Lekgetho Makola tha se pavarësisht se është marrë gjatë një kohe konflikti, fotografia “frymëzon njerëzit”.
“Në këtë foto ne shohim këtë të ri, i cili nuk është duke qëlluar, i cili nuk po hedh një gur, por reciton një poezi”, tha ai. “Ajo gjithashtu shpreh një ndjenjë shprese”.
Pesë fotografi të tjera u emëruan si finaliste në konkurs./AFP/BBC
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.