Treg

Mbifurnizimi dhe pandemia ulin çmimet e naftës

Çmimet e naftës ranë të mërkurën nga frikërat e vazhdueshme të mbiprodhimit gjatë këtij izolimi botëror që është bërë prej koronavirusit si dhe nga paralajmërimi i FMN-së për një reçesion të thellë.

Kontratat afat-gjate Brent LCOc1 ranë sot me 51 cent apo ndryshe me 1.7% në 29.09 $ fuçia që prej ores 07:35 duke thelluar akoma e më shumë rënien prej 6.7% të ditës së martë.

Nafta bruto WTI ka rënë sot me 4 cent ose ndryshe me 0.2% nga dita e djeshme që ra me 10.3%.

Duket se tek të dy këta tregues është transmetuar frika se stoku i rezervave është tepër i madh si dhe reduktimi i ofertës nga Rusia e vendet e OPEC-ut nuk do të jetë i mjaftueshëm për të evituar rënien e çmimit nga goditja e madhe që kërkesa ka pësuar.

Inventari (ose ndryshe stoku) i fuçive të naftës amerikane vajti në 13.1 milionë fuçi në javën e 10 prillit sipas të dhënave nga Instituti Amerikan i Naftës (American Petroleum Institute) të treguara dje. Kjo është goxha më shumë se pritshmëritë që analistët kishin për një stok prej 11.7 milionë fuçish.

Paralajmërimet nga FMN-ja që kjo përiudhë mund të jetë rënia ekonomike më e thellë që prej depresioni të madh të 1930-s gjithashtu kanë goditur shpresat dhe perceptimin e të ardhmes afat-shkurtër të investitorëve. Ekonomia botërore pritet të tkurret me 3% gjatë 2020-ës, shprehet FMN-ja të martën.

Zyrtarë dhe burime nga OPEC dhe Rusia bëjnë me dije se Agjencia Internacionale e Energjisë (International Energy Agency) do të anoncojë së shpejti blerjen e disa milionave fuçive për të mos lejuar rënien e çmimeve të mëtejshme nga oferta e madhe që ka aktualisht nafta në treg.

Po kështu dhe Departamenti i Energjisë Amerikane (U.S. Energy Department) u shpreh të martën se po negocion me nëntë kompani energjitike për të ruajtur si stok brenda Rezervës Strategjike të Naftës (Strategic Petroleum Reserve, SPR) rreth 23 milionë fuçi të naftës së prodhuar vendase.

“Pritshmëritë se vendet jo anëtare të OPEC+ si ShBA-ja dhe Kanadaja që do të reduktojnë furnizimin e tregut të naftës duket se kanë ndihmuar pakëz në mos rëniet e mëtejshme të çmimeve të naftës”, shprehet Satoru Yoshida një analist i produkteve të ndryshme të tregtueshme për firmën Rakuten Securities.

Nxjerrja në treg e naftës amerikane nga argjilet (shale oil) pritet të bie me 194,000 fuçi në ditë gjatë prillit. Kjo përbën uljen më të madhe rekord sipas Administratës Amerikane të Informacionit mbi Energjinë (U.S. Energy Information Administration)./Reuters


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë