Për t’u përgjigjur qytetarëve për çdo paqartësi që kanë mbi zgjerimin e paketës së ndihmës financiare, Kryeministri Edi Rama iu drejtua rrjeteve sociale.
Më herët, Kryeministri tha se 176 mijë personat që përfitojnë pagesën prej 40 mijë lekësh të reja në llogaritë e tyre si pjesë e zgjerimit të paketës së ndihmës financiare në kuadër të luftës kundër koronavirusit do të mund të tërheqin këto para duke filluar nga java e ardhshme dhe brenda këtij muaji.
Rama parashikon që fundi i muajit maj të sjellë një normalizim të ndjeshëm në tregun e punës dhe një pjesë e madhe e personave që përfitojnë këtë pagesë në prill të rikthehen në punë në këtë periudhë. Megjithatë, një ditë më parë, Kryeministri nuk përjashtoi mundësinë e një pakete të tretë ndihme financiare që Qeveria do të diskutojë në fund të muajit maj.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike thotë se edhe me zgjerimin e paketës financiare, ajo është e pamjaftueshme. Lulzim Basha solli si shembull krahasimor Kosovën.
“Le ta marrim të mirëqenë paketën prej 70 milionë USD dhe t’i shtojmë paketën e parë. Të dyja bashkë janë sa 2/3 e paketës së Kosovës, qe po bën gati paketën e dytë. E shikoni sa mbrapa jemi me paketën mbështetëse? Po ecet me gjysmë paketë e gjysmë paketë, nga njëra anë është pak, por tregon se po të dojë, qeveria i gjen këto para dhe ne i kemi treguar edhe ku janë këto para”, deklaron ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



