Lajme

Shkodër/ Vdes 59-vjeçari nga hemoragjia celebrale, i infektuar me Covid-19

Një 59-vjeçar ka ndërruar jetë në Spitalin e Shkodrës, për shkak të komplikacioneve nga hemorragjia cerebrale, ndërsa dje ai ishte zbuluar se ishte infektuar edhe me Covid-19. Ai ishte i shtruar në repartin e reaminacionit në Spitalin e Shkodrës dhe ka ndërruar jetë, mëngjesin e sotëm në orën 04:30.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informoi se 59-vjeçari, me inicialet M.S., nga Puka, ndodhej në gjendje kome në spitalin rajonal të Shkodrës, ka ndërruar jetë në spital, si pasojë e hemorragjisë cerebrale (aksident cerebral vascular) dhe jo si pasojë e Covid-19, nga i cili ka rezultuar bartës ditën e djeshme, por pa simptoma të Covid-19.
Ministria e Shëndetësisë informon se në Shkodër ka nisur një hetim epidemiologjik, pas konfirmimit të një infermiereje të spitalit rajonal Shkodër pozitiv në 24 orët e fundit (rasti i personelit shëndetësor i raportuar në deklaratën për media të ditës së sotme).
Sipas epidemiologëve dhe përfaqësuesve të Institutit të Shëndetit Publik që po kryejnë hetimin epidemiologjik në terren, dyshohet se ky rast është i lidhur me rastin e infermieres, e cila, sipas hetimit epidemiologjik, është infektuar në komunitet.
Nga rezultatet e testimeve të kryera në spitalin e Shkodrës, në 10 pacientë të shtruar që kanë qenë në kontakt me infermieren e infektuar, kanë rezultuar 4 pacientë të prekur, në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të patologjive për të cilat po trajtohen, por pa simptoma përsa i takon Covid-19.
Njëri prej tyre, 59-vjeçari me inicialet M.S. ka ndërruar jetë, ndërsa tre pacientë të tjerë që janë bartës të Covid-19 janë transferuar gjatë ditës së sotme në dy spitalet COVID.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë