Lajme

Rekord në SHBA, 2100 viktima në 24 orë. 1.7 milionë të infektuar në botë

Për Amerikën kanë qenë të tmerrshme 24 orët e fundit. Nga koronavirusi kanë humbur jetën 2100 persona, numri më i lartë i regjistruar deri tani në këtë vend. Janë regjistruar 35.098 raste të reja të personave të infektuar nga Covid-19.

Sipas të dhënave të shpërndara nga Johns Hopkins University, rastet e të infektuarve në total në Amerikë janë 496.535, 170 mijë nga të cilët vetëm në shtetin e Nju Jorkut. Deri tani kanë humbur jetën në Amerikë 18.586 persona dhe trendi i ditëve të fundit është shumë i frikshëm. Numri i të infektuarve nga koronavirusi në gjithë botën ndërkohë ka shkuar në 1.7 milionë.

Rekord të infektuarish ka pasur orët e fundit edhe në Japoni. Është dita e katërt radhazi që numri i të infektuarve po rritet ndjeshëm në këtë vend. Gjatë 24 orëve të fundit, rastet e reja në Japoni janë 658, duke e çuar numrin në total në 6.717, ndërsa numri i viktimave që nga fillimi i pandemisë është 105.

Në Kinë, nga ku nisi kjo pandemi e tmerrshme, janë regjistruar 46 raste të reja, 42 nga të cilët të ‘importuar’ nga jashtë. Kanë humbur jetën 3 persona, duke e çuar totalin e viktimave në 3.339.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë