Futboll

Karabak dhe Agolli ndajnë Kukësin nga Europa

Të mërkurën impianti “Loro Boriçi” do të përjetojë një tjetër “natë Championsi”. Këtë herë në fushë do të zbresin Kukësi dhe Karabak në raundin e dytë eliminator të “Champions League”. Do të jetë një nga ato ndeshje që brenda saj ka shumë beteja për të kapur ëndrrën dhe dëshirë për të shkruar historinë. Është beteja e Kukësit për lavdi europiane dhe që të vazhdojë ëndrrën për të luajtur në grupet e Ligës së Europës apo Ligës së Kampionëve. Por është gjithashtu beteja e Karabak që të përsërisë veten dhe të shkojë edhe një herë tjetër në grupet e Ligës së Kampionëve.

Pas atij kualifikimi dramatik vetëm në minutat e fundit me Valeta, për Kukësin përballja me kampionët e Azerbajxhanit, është prova e së vërtetës. Ndryshe nga raundi i parë, ku ekipi maltez ishte më inferior, për nënkampionet e Superiligës shqiptare ketë herë, përballë do të jetë një skuadër më të fortë. Në këtë sfidë nuk mund të tolerohen gabimet apo neglizhencat, që mund të rezultonin fatale. Për të mundur një skuadër që sezonin e shkuar luajti në grupet e Ligës së Kampionëve impenjimi me produktivitetin duhet të ndërthuren në fushë që rezultati të jetë maksimal. Në ndeshjen e Maltës kundër Valleta nuk u dalluan shumë ndryshimet në nivelin apo stilin e lojës tek Kukësi dhe dora e Cungut nuk kishte filluar të ndjehej.

https://www.youtube.com/watch?v=WvnhRFiAK3U

Por tashmë në këtë sfidë përballë azerëve pritet të shikojmë një ekip që ka punuar për më shumë se 10 ditë me trajnerin e ri, Armando Cungu. Mbrëmja e së mërkurës do ta tregojë si ka ndikuar ardhja e teknikut shkodran në bankinën e kuksiane. Në këtë ndeshje të parë, Kukësi do të kërkojë minimalisht që të mbajë portën e paprekur dhe të përfitojë nëse do të paraqitet mundësia për të shënuar me anë të ndonjë kundërsulmi. Në këtë aspekt Kukësi do të përpiqet të përfitojë sa më shumë nga dy lojtarët e krahut Çyrbja dhe Zguro.

Sakaq Karabak në këtë sfidë vjen superior dhe do të kërkojë që mos të vërë në rrezik kualifikimin për në raundin tjetër. Skuadra azere ka në gjirin e saj, si kapiten mbrojtësin tiranas, Ansi Agolli, i cili do të kërkojë të luaj edhe një herë tjetër në grupet e “Champions League”. Por këtë herë për ta bërë këtë gjë, ish-kapiteni i kombëtares “kuq e zi” duhet të eliminoje një ekip shqiptar. Me synim për të fituar dhe pa pësuar gol, Karabak duhet të tregohet shumë e vëmendshme mbrëmjen e së mërkurës në “Loro Boriçi”, pasi tashmë Kukësi ka në skuadër një sulmues shumë të rrezikshëm si Rexhinaldo, sigurisht pa harruar edhe eksperiencën e vyer të Sebino Plakut.

Ndeshja do të startojë nga ora 19:00 dhe ndryshe nga sfida e parë, në “Loro Boriçi” pritet të ketë një numër më të lartë tifozësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë