Kryeministri Edi Rama publikoi një grafik, që sipas tij, provon se strategjia e zgjedhur dhe masat e ndërmarra nga Qeveria kundër koronavirusit janë të duhurat.
Grafiku paraqet të shtruarit në spital prej koronavirusit, që prej datës 8 mars, kur u identifikuan rastet e para me Covid-19 në vendin tonë.
“Falë masave të shpejta e të forta dhe rezistencës suaj të shkëlqyer, 10 ditët e fundit kemi rënie graduale të shtrimeve në mjediset spitalore Covid”, shkruan Kryeministri.
Rama thotë se këto të dhëna pozitive nuk i has thuajse fare në vendet e tjera që po përballen me pandeminë. Ai shprehet optimist se Shqipëria mund ta kalojë më shpejt se shumë vende të tjera këtë situatë.
“Ky tregues që e has shumë pak, për të mos thënë fare në vendet e tjera nën agresion, ku mbingarkesa e spitaleve po vjen si haraç për vonesat në marrjen e masave, na thotë qartë se e para, po bëjmë gjënë e duhur; e dyta, duhet të vazhdojmë kështu, me durim të madh, sepse armikun e kemi pas çdo porte; e treta; po vazhduam kështu do të dalim më shpejt fitimtarë se shumë të tjerë, më të mirë, më të fortë dhe me kokën lart përpara brezave që vijnë nga kjo sfidë historike”, shkruan Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




