Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhacka, në një videomesazh u është përgjigjur akuzave të opozitës në këto ditë të vështira nga pandemia Covid-19.
Sipas saj, është rast unik në botë që opozita nuk po bashkëpunon dhe përpiqet të sabotojë. Xhaçka u shpreh se operacioni humanitar po ndihmon 600 mijë familje shqiptare dhe po punon 24 orë dhe inskenimet janë baltë mbi ëkto operacione.
“Rezervat e Shtetit jetike për situatën që kalon vendi. Duhet të sqaroj se jam e habitur për opozitën e babaleve. Në mes të një lufte që ka njerëz që merren me inskenime për përhapje paniku dhe për hedhjen baltë ndaj një operacioni humanitar që po i vjen në ndihmë 600 mijë familjeve”, u shpreh ministrja Xhaçka.
Ajo theksoi se këto akuza në këtë kohë të vështirë tregon se kjo opozitë është e pashpresë.
“Fakti që këtro akuza vijnë në këtë kohë e bën më të ulët aktin e kësaj opozite të pashpresë. Opozita është e paprecedentë dhe jo vetëm që nuk ndihmon, por edhe saboton.
Kryeministri ka bërë koalicion me koronën thone, s’ka bukë, s’ka pajisje, çuat mjekë të pacertifikuar. Si ka mundësi që ka kaq shumë helm dhe e përjetojnë si disfatë politike”, u shpreh ministrja.
Ndër të tjera, ajo tha se “e kuptoj që nuk vijnë e ndihmojnë, nuk çojnë një qese me ushqime apo ilaçe. Të vetmit doktorë që nuk ndihmojnë janë ata politikanë të opozitës. Por të jenë kaq të pamoralshëm”.
Alibeaj: SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm të nisin hetimin për tenderin e ushqimeve
Ish-deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj ka mbajtur një deklaratë për shtyp fill pas reagimit të ministres Olta Xhaçka për tenderin e ushqimeve 1.5 milionë euro që ju dha një kompanie maqedonase.
Sipas Alibeajt gjuha e urrejtjes së Xhaçkës ndaj opozitës dhe sulmet e saj nuk e fshehin dot skandalin.
“Sot, pas 3 ditësh, në vend të transparencës, Xhaçka sulmoi me gjuhë urrejtje opozitën. Ju të gjithë e dini thënien “mbrojtja më e mirë është sulmi.
Por sulmi me shpifje vetëm zbulon sa nervozë janë Rama dhe Xhaçka.
Zbulon se po fshehin të vërtetën e skandalit me 1,5 milion euro të shqiptarëve, për ushqimet e njerëzve në nevojë, që i janë dhënë një kompanie kompjuterash pa asnjë lidhje, në Maqedoni”, shprehet Alibeaj.
Ndërkohë po Alibeaj paralajmëroi ditë më parë që një kallëzim penal do të depozitohej në SPAK për ministren ndërkohë sot i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit dhe Prokurorit të Përgjithsëm që të dalin nga karantina dhe të merren me tenderin e ushqimeve.
“Asnjë sulm me gjuhë urrejtje dhe asnjë shpifje kundër opozitës që po mbron interesat e shqiptarëve, nuk mbulon apo justifikon abuzimet me paratë e shqiptarëve në këtë kohë lufte.
Vjedhja dhe abuzimi me paratë dhe bukën e shqiptarëve duhet të marrin ndëshkimin e merituar. SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm duhet ta lënë karantinën dhe të nisin menjëherë hetimin e kësaj çështje”, përfundoi Alibeaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




