Lajme

Dyshimet për koronavirus, izolohet Angela Merkel

Kancelarja gjermane, Angela Merkel është vetëngujuar pasi një mjek i stafit të saj ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i kancelares gjermane, që saktësoi se Kancelarja gjermane është informuar se mjeku i stafit të saj ka rezultuar pozitiv me koronavirus pak momente pas mbajtjes së një konferencës ku njoftoi masat e reja për të ngadalësuar përhapjen e virusit.

Zëdhënësi Steffen Seibert tha se Merkel mori një vaksinë parandaluese ndaj infeksioneve pneumokokale ditën e premte dhe injeksioni iu krye nga mjeku që më vonë rezultoi i infektuar me koronavirus.

Zyra e shtypi e kancelares sqaroi se Merkel, 65 vjeç, do t’i nënshtrohet në ditët në vijim një testi normal nëse është infektuar apo jo, ndërsa shtoi se Kancelarja do të vijojë në ditët në vazhdim të ushtrojë detyrën e saj nga shtëpia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë