Në vendin tonë janë shtuar edhe 6 raste të reja me COVID-19. Eugena Tomini shefe e shërbimit epidemiologjik në ISHP, tha se 5 persona ishin nga Tirana dhe ishin kontakte të rasteve pozitive, ndërsa 1 është nga Fieri. Ekspertja tha se në total janë testuar 778 raste të dyshuara dhe kemi 76 raste të infektuar.
Tomini deklaroi se 59 për qind e të prekurve janë meshkuj dhe 41 për qind janë femra, ndërsa epiqendra e pacientëve më të shumtë mbetet në Tiranë me 55 persona, ndërkohë shpërndarja gjeografike vijon si më poshtë:
Durrës 5
Lushnjë 2
Elbasan 2
Fier 8
Rrogozhinë 2
Kavajë 2
Tomini deklaroi edhe një herë që tashmë kemi 2 persona të shëruar dhe do të qëndrojnë edhe 14 ditë të tjera në vetëkarantinim, duke ndjekur masat e kontrollit respirator dhe higjienën personale. Gjithashtu 2 kane humbur jetën. Ndër të tjera Tomini bëri me dijë se, në Spitalin Infektiv ndodhen 37 pacientë të shtruar dhe 4 prej tyre janë në terapi intensive.
“Jemi duke vijuar me testimin e rasteve të dyshuara, si element i rëndësishëm për ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit COVID-19. Nga ana tjetër, për të siguruar suksesin e ndërprerjes së zinxhirit të transmetimit të infeksionit, qytetarët kanë një rol thelbësor. Mënyra e vetme për ta ndërprerë këtë zinxhir është që qytetarët të vetizolohen dhe të shmangin sa më shumë kontaktet. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital! Ministria ka vënë në dispozicion një linjë të gjelbër FALAS 0800 40 40 për çdo qytetar që kërkon informacion apo këshilla në lidhje me COVID-19,” deklaroi Tomini, ndërkohë që përsëriti apelin për të qëndruar në shtëpi.
Ndër të tjera Tomini është shprehur se grup moshat e prekura, fillojnë nga ato aktive deri tek mosha e tretë, por sipas saj ditët e fundit vihet re një rritje numri i grupmoshës mbi 65 vjeç. Epidemiologia bëri me dije gjithashtu se në karantinën shtetërore ndodhen personat të cilët kanë kontakt të ngushtë me pacientët e prekur. Ajo tha se personat që janë aktualisht në karantinë nuk kanë rezultuar me COVID-19, por po monitorohen.
Për sa i përket medikamenteve që po përdoren për personat e infektuar, Tomini tha se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka siguruar medikamentet bazë për trajtimin e pacientëve, duke u mbështetur në protokollin e hartuar nga Shërbimi Infektiv në QSUT. Sipas saj ky trajtim mbështet në protokollin klinik, pra trajtohen shenjat klinike dhe preparatet antivirale.
Tomini deklaroi gjithashtu se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i është drejtuar të gjithë partnerëve ndërkombëtarë për mbështetje, për sa i përket pajisjeve mbrojtëse personale dhe mjekësore në kuadër të mbështetjes së COVID-19, ndërkohë që spitali “Shefqet Ndroqi” i cili do të kthehet në një spital për trajtimin e pacientëve me COVID-19, ka kapacitet prej 190 shtretërish.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




