Sport

Anulimi i Olimpiadës nuk është në axhendë

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), po vlerëson “skenarë të ndryshëm” për mbarëvajtjen e Lojërave Olimpike të Tokyo 2020, por një anulim për shkak të emergjencës koronavirus “nuk është në axhendë”. Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, në një intervistë për New York Times tha: “Nuk e dimë cila do të jetë situata, sigurisht që ne po shqyrtojmë skenarë të ndryshëm, por mbeten katër muaj e gjysmë deri tek Lojërat. Ligat dhe federatat e tjera janë më optimiste se ne, sepse pjesa kryesore e tyre i kanë shtyrë eventet e tyre për në prill ose në fund të majit. Ne po flasim për diçka në fund të korrikut. Vendimi nuk do të merret nga ndonjë interes financiar”.

Lidhur me dyshimet e sportistëve, Bach u shpreh se “i kanë këshilluar sportistët që të kontaktojnë me komitetet e tyre olimpike e autoritetet kombëtare për të marrë informacione të dorës së parë mbi atë që është e mundur për stërvitjen e tyre, në përputhje me kufizimet. “Në disa vende ka mundësi. Ne gjithashtu kemi parë që atletët janë shumë kreativë për të mbushur këtë boshllëk me stërvitje në shtëpi e metoda të tjera stërvitje. Është një situatë e jashtëzakonshme, që kërkon zgjidhje të jashtëzakonshme”, tha ai.

Ndërkohë, flaka olimpike ka mbërritur në Japoni, në një bazë ushtarake. Pas dorëzimit në Athinë, aventura e pishtarit fillon në vendin që do të mirëpresë Lojërat, edhe pse shtohen dyshimet e sjella nga emergjenca koronavirus. Rrugëtimi japonez i flakës do të fillojë javën e ardhshme, megjithëse janë vendosur kufizime për pjesëmarrjen e spektatorëve për shkak të shqetësimit për përhapjen e Covid-19. Organizatorët janë të detyruar të ridimensionojnë ceremoninë e mirëseardhjes së pishtarit në bazën e Matsushima, në Miyagi, një nga prefekturat e shkatërruara nga tsunami i nëntë viteve më parë. Në këtë aktivitet morën pjesë një numër i kufizuar njerëzish, duke përfshirë Ministrin Olimpik, Seiko Hashimoto.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë