Pas vendimit të Komitetit të Ekspertëve për përforcimin e masave të marra ndaj COVID-19, Ministrja e Arsimit dhe Rinisë, Besa Shahini ka njoftuar se transmetimi i leksioneve në RTSH, kanali Youtube i MASR dhe platforma Akademi.al do të vijojë si javët e kaluara.
“Do të mbyllim dhe do të mbulojmë lëndët që kanë të bëjnë me shkencat, me matematikën dhe me gjuhë-letërsinë për klasat 1-12. Ky është fokusi edhe për javën e 3-të të punës nga shtëpia, ndërsa për javën e 4-rt po shohim mundësinë që të përfshimë leksione edhe nga gjuhët e huaja, historia dhe gjeografia. Por për këtë, ju njoftojmë në vijim,” shprehet Shahini.
Ndërsa për sa i përket provimeve kombëtarë Ministrja Shahini ka deklaruar se nxënësit janë gjatë gjithë kohës në komunikim me mësuesit dhe duhet të përgatiten për provimet që do të mbahen sipas planit që është bërë deri tani. Ndërkohë MASR ka nxjerrë dy udhëzues me modele pyetjesh për maturantët dhe nxënësit e klasave të 9-ta që të ushtrohen vazhdimisht.
Ministra Shahini deklaroi gjithashtu se këto ditë do të mbyllet edhe udhëzuesi për mësuesit, se si të vlerësojnë punën e nxënësve gjatë kohës që kanë punuar nga shtëpia.
“Është elementi i pjesëmarrjes, pra nxënësi do të vlerësohet me pjesëmarrjen e vet sipas parashikimeve të mësuesit dhe sipas kushteve që ka; dhe e dyta, nxënësi do të vlerësohet edhe me njohuritë që ka fituar gjatë kësaj periudhe,” tha Ministria.
Ndër të tjera Shahini theksoi se puna arsimore do vazhdojë të digjitalizohet dhe do të transmetohen sa më shumë emisione edukative në RTSH.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




