Futboll

Ozil i thotë lamtumirë Gjermanisë: Racizëm i patolerueshëm!

Futbollisti i Arsenalit, Mesut Ozil, ka vendosur të lërë kombëtaren e Gjermanisë pas polemikave që shpërthyen për foton e tij me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Gjithçka është kthyer përmbys për lojtarin gjerman me origjinë turke nga një foto. Gjithçka është fshirë vetëm nga një foto. Mjafton një moment për të shkatërruar gjithçka ke ndërtuar në jetë.

Mesut Ozil feston një gol me fanellën e Gjermanisë

Mesut Ozil e ka marrë tashmë vendimin përfundimtar për t’i thënë lamtumirë Gjermanisë. Që në muajin maj, kur u publikua fotoja me Erdoganin, vetëm kritika, sulme dhe kërcënime ka pasur për ish-lojtarin e Realit të Madridit. E tepruar për një person, i cili në fakt konsiderohej si simboli i integrimit në Gjermani. “Trajtimi i kohëve të fundit më ka hequr dëshirën për të veshur fanellën e Gjermanisë, – ka shpjeguar Ozil. – Ndihem i padëshiruar. Nuk është ky motivi, për të cilin luaj futboll. Racizmi nuk mund të tolerohet kurrë”.

Ozil ka postuar tre deklarata në profilin e tij në Tuiter. Janë tre deklarata të gjata dhe të detajuara, janë të tria të vuajtura shpirtëisht. Nga deklarata e parë tek e treta ka një interval kohor prej tetë orësh dhe në këtë kohë e gjithë Gjermania është përqendruar tek ai. Me komunikatën e parë lojtari është munduar të shpjegojë çfarë e shtyu të pranonte ftesën e Erdoganit. “Për mua nuk kishte rëndësi, nëse ishte Presidenti i Turqisë apo i Gjermanisë, sepse do të isha sjellë njësoj në të dy rastet. Kam dy zemra: një gjermane dhe një turke. Gjatë fëmijërisë sime, nëna më ka mësuar vlerën e respektit dhe më ka porositur të mos e harroj origjinën time”,- ka thënë Ozil. Gjermanët në përgjithësi nuk e pritën mirë takimin e mesfushorit me Erdoganin, madje shumë ishin ata që i kërkuan trajnerit Lëv ta lishte jashtë kombëtares.

Mesut Ozil, Ilkai Gyndogan dhe Presidenti i Turqisë, Erdogan

Mesut Ozil e ka drejtuar gishtin drejt shtypit, sponsorëve dhe Federatës së Gjermanisë: “Kur Mateusi takoi Putinin, nuk u fol për skandal. Pse Federata më kërkon mua të shpjegoj rastin e Erdoganit dhe nuk i kërkoi Mercedesit, sponsorit të saj, të mbante qëndrim? Për mua fotoja me Erdoganin nuk kishte propagandë, por është përdorur për të bërë propagandë kundër meje. Nuk kritikohej paraqitja ime në fushë, por lidhja që unë kam me origjinën time. E përdorën atë foto për ta vënë gjithë Gjermaninë kundër meje”.

Mesut Ozil sulmohet nga tifozët gjermanë pas ndeshjes me Suedinënë Botëror

Shumë kritika, akuza dhe kërcënime. Muajt e fundit Ozil ka parë nga të gjitha, ndaj dhe vendosi të tërhiqet nga kombëtarja, me të cilën u shpall kampion bote në vitin 2014. “Besoj se ajo që kam bërë që nga viti 2009, kur debutova me Gjermaninë, është harruar’, – ka shtuar Ozil, i cili numëron 92 ndeshje me “pancerat”, ndërsa 23 golat e shënuar prej tij nuk kanë më asnjë vlerë.  “Bernd Holzhauer, një politikan gjerman, më ka sulmuar për atë foto dhe për origjinën time. Verner Ster, administratori i Teatrit të Mynihut, më ka thënë të shkoj në Anadoll, në vendin e refugjatëve. Takova Grindelin, kryetarin e Federatës, para Botërorit. Ai nuk ishte i interesuar për shpjegimet e mia dhe donte vetëm të më impononte idetë e tij. Ata nuk janë më mirë se tifozi, i cili, pas ndeshjes me Suedinë, më quajti “derr turk”. Për të mos folur pastaj për e-mail-et, telefonatat dhe postimet në rrjetet sociale plot urrejtje që familja ime ka marrë”, – shkruan Ozil. Dhe e gjitha kjo nga një foto. Sepse Ozil ishte simboli i integrimit në Gjermani, deri para fotos me Erdoganin.

Një nga deklaratat e Ozil për vendimin e largimit nga Gjermania

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë