Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thirrur Këshillin e Sigurisë për në orën 20:00. Kërkesa tashmë i është dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili sipas ligjit është i detyruar të thërrasë Këshillin. Në këtë këshill pritet të vendoset për masa të reja kundër pandemisë së koronavirusit.
Masat e reja pritet të merren pasi Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia doli në një konferencë për media për të konfirmuar edhe rastin e 17 me koronavirus në Kosovë. Vitija u shpreh se gjithë ata që vijnë në Kosovë nga shtetet me rrezik do të vendosen në karantinë.
“Karantina tani e tutje do të bëhet për gjithë ata që hyjnë në Kosovë; do të vendosen në karantina për 14 ditë derisa të sigurohet se nuk do të jenë shpërndarës të virusit”, tha ai.
Ai tha se janë duke pasur kontakte të vazhdueshme me komunat të cilat kanë ankesa për furnizim të pamjaftueshëm me materiale. “Me komunat kemi kontakte të vazhdueshme. Ankesat e komunave kanë qenë ankesat qe kemi pasur edhe ne. Nuk ka pasur mjaftueshëm materiale. Shpërndarja e këtyre materialeve është bërë për frontin e parë, atë të mjekëve. Me procedurat që kemi përfunduar, të gjithë do të jenë me furnizim akoma më mirë”, tha ai.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në hyrje të Klinikës Infektive, Klinikës Emergjente dhe QKMF-ve janë vendosur tendat, brenda të cilave do të ketë pajisje dhe personal shëndetësor, sipas nevojës, që do të bëjnë një kontroll paraprak të personave me shenja të dyshimta për Covid-19, me qëllim të parandalimit të infeksioneve brenda spitalore apo brenda institucioneve të Kujdesit Parësor Shëndetësor. “Në tenda bëhet një kontroll paraprak si masë mbrojtëse edhe për personelin shëndetësor, por edhe për pacientët e tjerë që janë duke marrë shërbime shëndetësore në Klinikën Infektive, Klinikën Emergjente, QKMF apo në institucionet e tjera shëndetësore”, thuhet në komunikatën e ministrisë. /Zëri
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




