Presidenti Ilir Meta është i pari politikan shqiptar që rrëfen se i është nënshtruar testit për koronavirusin.
“Unë vetë e bëra testin për arsye sepse mora një informacion që kisha qenë në një palestër ku kishte rezultuar një qytetar, që unë e njihja, por që nuk ia kishte dhënë dorën dhe u informova që kishte rezultuar me koronavirus”, deklaroi Presidenti Ilir Meta në një intervistë për News24.
Meta u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të respektojnë masat kundër koronavirusit dhe klasës politike që të tregohet bashkëpunuese. Në lidhje me opozitën, Meta tha se është në të drejtën dhe rolin e saj që të jetë kritike ndaj Qeverisë sa u takon menaxhimit të situatës.
Presidenti foli për tre prioritete që të gjithë duhet t’i kenë parasysh, por që peshën kryesore të të cilave e mban Qeveria. Ai tha se kishte marrë garanci nga Ministria e Shëndetësisë për poste shtesë në reanimacion dhe respiratorë.
“E para, mbrojtja e personelit shëndetësor është prioritet, pasi ata do të vijojnë të jenë në front. Së dyti, testimi është i rëndësishëm dhe marrja e masave për infrakstrukturën për ata që kanë shqetësime. Prioritet për terapi intensive, pra bëhet fjalë për të shpëtuar jetë njerëzish. Kam marrë garanci nga Ministrja sa i përket respiratorëve apo poste shtesë, reanimacionit që në çdo rast të shpëton çdo jetë”, tha ai.
Presidenti nuk komenton nëse masat kufizuese të Qeverisë janë marrë në kohë apo me vonesë, por thotë se e gjithë bota u gjet e papërgatitur dhe e nënvlerësoi rrezikun që i kanosej nga koronavirusi i ri pas shpërthimit të tij në Kinë.
“Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka pasur një vizion të qartë që në fillim për përballimin e kësaj sfide, që me pak vonesë e konsideroi si pandemi. Kemi të bëjmë me një virus të ri dhe të panjohur mirë. Ajo që mund të them është se të gjithë duhet të jemi bashkëpunues, reflektues, sepse është një eksperiencë e re që asnjëri prej nesh nuk e kishte menduar. Shqipëria ka pasur disa eksperienca të rëndësishme pozitive në përballimin e SARS-it, gripit të derrit”, vijoi Meta.
Presidenti deklaroi gjithashtu se është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet e tjera, përfshirë edhe Qeverinë për t’u përditësuar për situatën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




