Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u përplasën në distancë për mjaftueshmërinë dhe kohën e marrjes së masave kundër koronavirusit nga ana e Qeverisë.
Rama dhe Basha folën në lidhje direkte në emisioin Opinion. Shefi i Qeverisë këmbënguli se autoritetet kanë marrë në kohën e duhur masat kufizuese për parandalimin e përhapjes së virusit. Rama këmbënguli gjithashtu se vendimi për të mos mbyllur kufijtë më parë ishte i duhuri. Ai thotë se mbyllja e kufijve nuk frenon përhapjen e virusit.
Në lidhje me buxhetin që do të financojë krizën, Rama nuk përmendi asnjë shifër, por garantoi se vendi është gati që të përballojë fluksin që parashikohet nga projeksionet.
“Ne jemi gati për ta përballuar këtë luftë as më shumë dhe as më pak se cilido vend tjetër, nga më i miri tek i fundit. Nuk mungon asnjë pajisje mbrojtëse për mjekët. I kemi të gjitha mjetet për të përballuar infeksionet, sipas projeksioneve. Masat drastike që Italia i mori me vonesë ne i morëm në kohë”, u shpreh ai.
Rama nënkuptoi përjashtimin e mundësisë së rimbursimit nga shteti të sipërmarrjes në mënyrë që të paguhen punonjësit për periudhën e mbylljes së aktiviteteve të tyre për shkak të ngujimit nga koronavirusi.
“Duhet të dini që 50 restorante në Milano janë mbyllur dhe jo vetëm që nuk kanë kërkuar para, por kanë dhënë donacione. Kjo është koha për solidaritet dhe këtë duhet ta dinë shumë mirë kompanitë. Në asnjë rast nuk ndodh që për forca madhore të merret përsipër çdo gjë nga shteti, Kompanitë të nxjerrin paratë dhe të vazhdojë ky proces. Ne po i bëjmë skenarët, kemi dy gjëra të mëdha që na kanë rënë mbi kokë, kemi rindërtimin dhe koronavirusin. Nuk kemi ndërmend që të heqim paratë për shtëpitë dhe t’ua japim kompanive”, u shpreh ai.
Kryeministri tha gjithashtu se shqiptarët duhet të ndjehen me fat që kanë në këtë kohë krize këtë qeveri, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që kufizimet e prezantuara për këtë fundjavë të zgjaten edhe përtej ditës së hënë,
Basha kërkon transparencë financiare: Masat të vonuara
Por, ndryshe nga Edi Rama mendon Lulzim Basha. Kreu i PD-së thotë se Shqipëria ka mangësi të mëdha në burime financiare, njerëzore dhe megjithëse përshëndeti e mbështeti masat e marra, akuzoi Qeverinë për marrjen e tyre me vonesë.
“Jemi dakort me të gjitha masat, por janë marrë me vonesë. Qeveria nuk duhet të kishte patur kompleksin se përse e propozoi opozita masat të mos i zbatonte ato. Para 1 jave kam kërkuar angazhimin e të gjithë mjekëve në pension dhe më në fund u morën masa për call center dhe biznesin fason. Kriza duhet të menaxhohet çfarë mund të ndodhë nesër dhe pasnesër. Buxheti është vetëm 3.5 mln euro dhe pa transparencë nuk mund të luftohet kriza. Të thuash që i kemi paratë dhe të mos i tregosh se sa?! Kujt po ja fsheh shumën, virusit?!”, tha Basha.
Basha kujtoi një propozim të bërë prej tij që në fillim të muajit shkurt për të ilustruar idenë se përse Qeveria është e vonuar në vendimet e saj.
“Kriza kërkon që të ecësh një hap përpara, intensiteti i masave nuk mund të bëhet pas shfaqjes së virusit. Këtë kërkuam që prej 2 shkurtit. Më 24 shkurt kam kërkuar që të ndërtohet regjistër i posaçëm i personave që vijnë nga zonat e kuqe të Italisë. Zoti Rama nuk e bëri, sepse ishte në një tjetër gjendje mendore në atë kohë, atë të minimizimit të epidemisë. Dy javë më vonë nxorri ushtrinë për kapjen e personave që kanë ardhur nga Italia. Një masë që propozuam ne u mor me dy javë vonesë”, tha ai.
Basha këmbëngul se personeli mjekësor është i papajisur me mjete mbrojtëse. Ai thotë se nuk mjafton fakti që janë të pajisur e të mbrojtur vetëm mjekët e spitalit infektiv, por pajisjet duhet të ishin shpërndarë për të gjithë stafin mjekësor.
Megjithatë, Basha thotë se kjo nuk është koha për të nxjerrë përgjegjësitë.
“Do të ketë kohë për të nxjerrë përgjegjësitë. Tani nuk është koha për përgjegjësitë e krizës. Koha që të jemi në solidaritet dhe të bëjmë gjithçka që njerëzit të jenë sa më të sigurtë që të jetë e mundur”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




