Sport

Gjimnastja më e moshuar përgatitet për Olimpiadën e saj të tetë

Në moshën 44 vjeçare dhe duke u përgatitur për Olimpiadën e saj të tetë, gjimnastja uzbekistanase, Oksana Chusovitina, hedh dritë rreth mbijetesës në një ambient ku dominojnë sportistët e rinj. “Më pëlqen gjimnastika. Duhet të stërvitemi, derisa të kemi fuqi.”  Por ndërsa dëshira për të garuar është ende e madhe, ajo deklaron se i ka dhënë fjalën familjes së saj, të cilën e quan “motivimi më i fortë”, që kjo do të jetë Olimpiada e saj e fundit. “Ia kam premtuar djalit, ka frikë se do të vritem’’.

Chusovitina e filloi karrierën e saj duke garuar për BRSS, por pas shpërbërjes, gëzimin dhe lumturinë e medaljes së parë do ta merrte gjatë Olimpiadës së Barcelonës të vitit 1992, duke garuar me një ekip që përfaqësonte shtetet ish-Sovjetike. 16 vjet pas fitores së parë triumfon sërish, në Pekin 2008, kësaj radhe individualisht, në kërcimin (vault).  Në atë moment, Chusovitina ishte përfaqësuese e Gjermanisë, pasi u transferua atje në 2002, me djalin e saj Alisher, i sëmurë me leucemi, që pikërisht në atë vend perëndimor po kurohej. Por Tokio do të jetë Olimpiada e saj e pestë që përfaqëson atdheun e saj të Azisë Qendrore, Uzbekistanin – një komb prej 33 milionësh, për të cilin atletja është një mit që ka merituar edhe një pullë postare të dedikuar.

Paraqitja e saj në Lojërat Rio në vitin 2016 e bëri atë gjimnasten e vetëm që ka garuar në shtatë Olimpiada radhazi. “Kujtimi i saj i preferuar olimpik mbetet kthimi në shtëpi nga Pekini, ku ndau podiumin me gjimnastët nga Kina dhe Koreja e Veriut, që ishin dy dekada më të rinj se ajo. “Kur u ktheva, doktori më dha lajmin se djali im ishte më në fund i shëruar. Ky lajm më ka gëzuar më shumë se çdo medalje në botë”, thotë ajo

Bashkëshorti  i Chusovitina, Bakhodir Kurbanov, është gjithashtu një ish-garues olimpik, ku ka përfaqësuar Uzbekistanin në Lojërat e 1996 dhe 2000. Ai sakrifikoi karrierën e tij për atë të Oksana-s dhe u përqendrua te sëmundja e djalit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë