Partizani ka pulikuar sot në faqen e tij zyrtare lajmin për huazimin e mesfushorit Alesio Hyseni tek ekipi i KI Klaksvik. Për një moment duket sikur klubi i kuq ka bërë një gabim tek emri i ekipit të ri të futbollistit vlonjat, por në fakt nuk ka asnjë gabim.
Mes rreshtave të njoftimit kuptohet se KI Klaksvik është ekipi kampion i Ishujve Faroe.
Futbollisti 23-vjeçar i ekipit të kuq, i cili më shumë ka qëndruar në stol, do të huazohet deri në fund të sezonit në Ishujt Faroe, ku futbolli ka një nivel modest. “Klubi zyrtarizon trasferimin në formulën e huazimit të Alesio Hysenit pranë skuadrës KI Klaksvik. Mesfushori 23-vjeçar, i cili iu bashkua kampionëve në janarin e 2019-ës nga Flamurtari, do të provojë tashmë eksperiencën në radhët e kampionëve në fuqi të Ishujve Faroe. Marrëveshja është arritur sot me pëlqimin e të 3 palëve dhe Hyseni do të jetë lojtar i KI Klaksvik deri në përfundim të sezonit futbollistik 2019-2020”, – shkruhet në njoftimin e Partizanit.
Alesio Hyseni me siguri është shqiptari i parë që do të luajë në Ishujt Faroe. Dhe me siguri eksperienca në këtë vend do ta bëjë CV-në e tij të dallohet nga të tjerat. Hyseni është një futbollist i ri dhe ka nevojë të luajë rregullisht për t’u rritur profesionalisht, por që të shkonte deri në Ishujt Faroe për këtë gjë?!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.