Të mërkurën e ardhshme rinis kampionati i Superiores me javën e 18-të, ndërsa tri ditë më pas luhen edhe ndeshjet e javës së 19-të, ku spikat përklasja mes dy skuadrave pretendente, Kukësit dhe Partizanit. Bukurinë këtij dueli do t’ia shtojë fakti që do të zhvillohet në stadiumin e ri, “Air Albania Stadium”, ditën e diel.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi kuksian, që ka arritur një marrëveshje me FSHF-në për ta luajtur ndeshjen me Partizanin në këtë stadium. Kukësi mban vendin e parë pas 17 javësh me 31 pikë, ndërsa Partizani vendin e katërt, por është vetëm 3 pikë prapa. Kjo do të jetë ndeshja e dytë e Superiores që luhet në “Air Albania Stadium”, pas derbit Partizani-Tirana në fund të vitit 2019. Stadiumin i ri u përurua me ndeshjen Shqipëri-Francë, ndërsa disa ditë më parë u zhvilluan tri ndeshje simbolike mes ish-lojtarëve të Shqipërisë, Italisë, Turqisë dhe Greqisë, me qëllim mbledhjen e fondeve për të prekurit nga tërmeti.
Kukësi dhe Partizani janë dy pretendentët kryesorë për titullin kampion këtë sezon. Javët e fundit skuadra e trajnerit Duro ka treguar më shumë stabilitet dhe ka qenë më efikase, ndërsa kampionët në fuqi deri tani kanë pasur shumë ulje-ngritje. Kuksianët nuk kanë në dispozicion stadiumin e tyre “Zeqir Ymeri”, që po rikonstruktohet. Deri tani ata i kanë luajtur ndeshjet si pritës në Elbasan, në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, në Lushnjë dhe në Shkodër. Tani do të provojnë edhe “Air Albania Stadium”. Për të kuqtë ky stadium ishte pa fat disa javë më parë, pasi humbën derbin me Tiranën pas shumë vitesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.