Futboll

FOTO/ UEFA shpall ekipin e vitit, gjysma e Liverpulit dhe asnjë lojtar i Realit

Pas më shumë se 2 milionë votash në sitin “Uefa.com” nga tifozët, është shpallur 11-shja më e mirë e vitit 2019. Patjetër që bëjnë pjesë në të Mesi dhe Kristiano Ronaldo, ky i fundit për herë të 14-të radhazi. Bie në sy fakti se Liverpuli kampion i Europës përfaqësohet me 5 lojtarë, thuajse me gjysmën e formacionit, ndërsa këtë herë Real Madridi nuk ka asnjë lojtar mes 11 më të mirëve.

Janë dy juventinët në formacionin më të mirë të shpallur nga UEFA për vitin 2019, pas votave të tifozëve, mbrojtësi holandez Mathijs de Ligt (pjesën e parë të sezonit me Ajaksin) dhe portugezi Kristiano Ronaldo. 50 kandidatët janë përzgjedhur nga redaksia e “Uefa.com”, në bazë të paraqitjes së lojtarëve nga janari në dhjetor të 2019-ës. Janë 6 lojtarë që luajnë në Premier League dhe 5 prej tyre kanë fituar Championsin 2018-19 me Liverpulin. Kristiano Ronaldo thyen një tjetër rekord personal, duke qenë për herë të 14-të radhazi në formacionin më të mirë të vitit, 3 herë më shumë se Lionel Mesi.

Ekipi i vitit 2019, sipas UEFA-s. Gazeta Si, 15 janar 2020

Skuadra e vitit 2019, sipas “Uefa.com”, përbëhet nga: Alison (Liverpul, Brazil), Trent Aleksandër-Arnold (Liverpul, Angli), Virxhil van Dijk (Liverpul, Holandë), Mathijs de Ligt (Ajaks-Juventus, Holandë), Andi Robertson (Liverpul, Skoci), Kevin De Bryne (Mançester Siti, Belgjikë), Frenki de Jong (Ajaks-Barcelona, Holandë), Lionel Mesi (Barcelonë, Argjentinë), Robert Levandovski (Bajern Mynih, Poloni), Kristiano Ronaldo (Juventus, Portugali), Sadio Mane (Liverpul, Senegal).

Alison, Aleksandër-Arnold, De Ligt, Robertson, De Jong, Levandovski dhe Mane bëjnë pjesë për herë të parë në skuadrën e vitit, Liverpuli për herë të parë ka më shumë lojtarë se çdo ekip tjetër (pesë), ndërsa Real Madridi asnjë. Holanda ka më shumë lojtarë se çdo vend tjeyër, 3, kurse De Ligt është lojtari më i ri në 11-shen e vitit, vetëm 20 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë