Futboll

Reali është mbret i finaleve, rrëmben edhe Superkupën e Spanjës

Në Geda u desh të luheshin 120 minuta, por sërish goli nuk doli në dritë dhe Superkupa e Spanjës u zgjidh nga ruleta e penalltive. Fati i ka buzëqeshur Real Madridit, që shënoi në të katër penalltitë e gjuajtura, kurse lojtarët e Simeones shënuan vetëm 1 gol në tre penallti të gjuajtura. Trajneri Zinedin Zidan nuk fal sërish në finale dhe koleksionon trofeun e radhës.

Edhe pse pa lojtarë të rëndësishëm në sulm, si Hazard, Bejl dhe Benzema, Reali tregoi se sa peshë ka fanella e tij, duke i rrëmbyer një tjetër trofe Atletiko Madridit. 90 minutat e kohës së rregullt përfunduan me rrjeta të paprekura, ashtu si dhe dy shtesat nga 15 minuta, ku Atletiko pati një rast të mirë shënimi, por Valverde nuk e e lejoi Moratën t’i drejtohej portës së Kurtua dhe u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrjen e parregullt.

Na pika e bardhë, për Atletikon gabuan Saul dhe Tomas, ndërsa Tripier shënoi golin e vetëm. Për Realin realizuan Karvahal, Rodrigo, Modriç dhe kapiteni Serxhio Ramos. Reali eliminoi në gjysmëfinale Valencian, kurse Atletiko Madrid Barcelonën.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë