Futboll

Italia merr hak për finalen e “USA '94”, Brazili “k.o” në shtëpi

Një hakmarrje e lehtë pas 26 vjetësh nga Italia, që në Botërorin e 1994-ës në Amerikë i shkoi shumë pranë trofeut, por dështoi nga pika e bardhë e penalltive. Protagonistët e finales së paharrueshme të “Rose Bowl” në Pasadena, e para që vendosej nga penalltitë, janë ritakuar në Fortaleza për ta riluajtur atë sfidë dhe këtë herë ka fituar Italia. Mes sprinteve të Kafu, numrave teknikë të Romarios dhe Xolës, pasi klasi mbetet pavarësisht moshës, kjo miqësore u zgjidh nga një gol i bukur i Masaros në fundin e ndeshjes, pas dy pjesësh nga 35 minuta që dëfryen të gjithë të pranishmit.

Në këtë event të organizuar nga Federata Braziliane, kanë marrë pjesë thuajse të gjithë lojtarët e lavdishëm të asaj kohe. Brazili i drejtuar nga trajneri Parreira zbriti në fushë me 9 nga 11 titullarët e finales. Ishin në fushë Tafarel, Aldair, Zhorzhinjo, Mazinjo dhe mbi të gjithë dyshja vrastare e sulmit, Bebeto-Romario. Nën urdhrat e trajnerit Arrigo Saki tek Italia ishin emra si Barezi, Musi, Albertini dhe Masaro. Ylli i vetëm që mungonte ishte Roberto Baxho, por për të dëfryer 18 mijë të pranishmit në stadiumin “Presidente Vargas” mendoi Xhanfranko Xola, i cili tregoi klas dhe goditi shtyllën.

Brazili feston me kupën e botës pas finales së 1994-ës. Gazeta Si, 10 janar 2020

Kjo ndeshje miqësore nuk kishte shumë ndryshime nga ajo e Amerikës. Loja është diktuar nga Brazili, i udhëhequr nga një Kafu në formë brilante dhe nga një Romario që ruan klasin dhe lëvizjet e atyre viteve. Në Fortaleza Seleçao dominoi pjesën e parë, goditi shtyllën, shënoi dy gola që u anuluan për pozicion jashtë loje dhe krijoi raste pa fund para portës së Rosit e më pas të Bralias. Ndryshimi këtë herë është në rezultat, që është në favor të italianëve, falë një goli të Masaros, të cilit me siguri i ka ardhur në mendje ai gabim nga pika e bardhë i 26 viteve më parë.

Brazili, të cilit i mungonin vetëm Dunga dhe Branko nga grupi kampion i 1994-ës, zbriti në fushë me Tafarel, Zhorzhinjo, Aldair, Marcio Santos, Kafu, Mauro Silva, Mazinjo, Zinjo, Paulo Serxho, Bebeto dhe Romario. Nga ana tjetër, Saki u detyrua të fuste në grup të tjerë lojtarë të cikleve të tjera. Ai hodhi në fushë këtë formacion: Rosi, Musi, Kostakurta, Barezi, Panuçi, Eranio, Albertini, Evani, Xola, Masaro dhe Kaziragi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë