Kristiano Ronaldo është i pandalshëm. Pas çdo goli ai e ngre stekën më lart dhe është në kërkim të rekordeve të reja personale. Portugezi shënoi 3 gola në fitoren 4-0 ndaj Kaljarit dhe tashmë Juventusi është ngjitur në kuotën e 45 pikëve, 3 më shumë se Interi që luan në fushën e Napolit pas pak.
Kristiano Ronaldo realizoi sot tripletën e parë në Serinë A, duke e çuar në 18 numrin e skuadrave që ka “goditur”, nga 20 që ka përballuar me fanellën e Juventusit. Për herë të parë ai ka shënuar në 5 ndeshje radhazi (8 gola në total në këto 5 ndeshje), ndërsa në dy ndeshjet e fundit në “Allianz Stadium” ka shënuar më shumë se një gol. Numra rekord, që e bëjnë portugezin dhe Juventusin të fluturojë shumë lart. Pas ndeshjes ndaj Kaljarit, Ronaldo u shpreh me modesti: “Skuadra ka rëndësi dhe e rëndësishme është që Juventusi luajti mirë. Sigurisht, më jep kënaqësi fakti që shënoj, por e rëndësishme ishte të fitonim dhe të rritim presionin tek Interi. Jemi të kompletuar dhe po përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje, jo vetëm në mbrojtje, por edhe në sulm. Shpresoj që Interi të humbë ndaj Napolit, edhe pse ne duhet të mendojmë për veten tonë”.
Juventusi është në top formë, ndërsa Milani vazhdon të vuajë. Kuqezinjtë, edhe me Ibrahimoviçin në fushë në pjesën e dytë, nuk shkuan më shumë se barazimi 0-0 ndaj Sampdorias në “San Siro”. Një paraqitje tejet zhgënjyese, që është shoqëruar me vërshëllima nga tifozët e Milanit, aspak të kënaqur me lojën. Milani mbetet në vend të 12-të me 22 pikë. Java e 18-të ishte pozitive për Atalantën e Berat Gjimshitit, titullar në fitoren 5-0 ndaj Parmës së Kastriot Dermakut, i cili sot ishte në stol.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.